Kardiologu invaziv dhe drejtori i repartit të Kardiologjisë në spitalin St. Barnabas në Bronx të New York-ut Dr. Sulejman Çelaj, ka treguar për gjendjen e rënduar nga koronavirusi në SHBA ku deri më tani janë prekur mbi 135 mijë njerëz dhe janë shënuar rreth 2400 viktima
Çelaj me origjinë nga Vuthajt, komuna e Gucisë dhe i lindur në Gjakovë në një intervistë për Gazetën Shneta ka treguar se numri i njerëzve të sëmurë po rritet vazhdimisht, por edhe numri i viktimave po ngritët me shpejtësi. Ai ka bërë thirrje që ky virus të merret seriozisht e jo të neglizhohet sepse do të ketë pasoja të rënda.
“Gjendja është shumë serioze, shpresoj që shikuesit e juaj ta marrin këtë me seriozitetin më të madh. Tani për tani të gjitha spitalet në New York janë të mbingarkuara, po hapim pavione të reja me shtretër të rinj. Gjendja është alarmante”, ka deklaruar Çelaj.
Ai ka thënë se për fat të keq ka mungesë të materialeve, pasi administrata e SHBA-së nuk e kishte marr seriozisht virusin në ditët e para. Çelaj ka thënë se ka mungesa të materialeve, por megjithatë pacientët nuk mbesin pa marr shërbime.
Kardiologu ka thënë se medikamenti klorokina e kombinuar me azitromicinën ka pasur sukses dhe kanë ndihmuar pacientët por deri më tani nuk ka një protokoll të vendosur nga FDA.
Çelaj ka thënë se nuk e din numrin e saktë të shqiptarëve të prekur nga koronavirusi, por ka treguar se është njoftuar për vdekjen e një 30-vjeçari me origjinë nga Kosova.
Kardiologu ka treguar se kanë kryer kateterizimin e disa pacientëve të sëmurë me koronavirus, dhe ka shpjeguar se si procedohen këto raste në sallë.
Mjeku shqiptar me famë në Amerikë ju ka bërë thirrje bashkëatdhetarëve të tij në Kosovë që të mos pijnë duhan, të respektojnë rekomandimet e mjekëve, ndërsa politikanëve iu ka bërë thirrje që ta lënë politikën anash dhe të merren me krizën shëndetësore e cila do të pasohet me një krizë të madhe ekonomike.