Komiteti i Kosovës dhe kryengritja e Plavës dhe e Gucisë e vitit 1919

Kumtesa e Prof. Dr. Lush Culaj në  Konferencën shkencore që zhvilloj punimet sot në   Institutin Albanologjik të Prishtinës  me temën  “Shekulli i Komitetit Mbrojtja e Kosovës 1918-2018”

Prishtië 21 Mars 2018

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës “ është themeluar në Shkodër më 1 maj 1918 në rrethana të rënda dhe para përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Ishte organizatë politike me program politikë të përcaktuar qartë. U formua kryesisht nga patriotët kosovarë, që ndodhëshin brenda kufijve të Shqipërisë politike, të cilët përpiqeshin për çlirimin e te gjitha trojeve shqiptare dhe për krijimin e Shqipërisë Etnike të pavarur. Ndonëse pagëzimi i organizatës ishte Komiteti i Kosovës nga pika e parë e programit themelues të kësaj organizate shihët që nuk ishte qëllim vetëm çlirimi i territoreve të Kosovës por të terë territoreve shqiptare të pushtuara nga serbo malazezët.

Më tërheqjen e ushtrisë së Austro-Hungarisë nga Plava e Gucia me 1918 filloi rritja e çetave te armatosura malazeze, që përbenin nje rrezik për trevat shqiptare. Në ato rrethana populli i atyre trevave duhej të ishte i gatshëm për mbrojtjen e viseve të tyre. Shenjat e përfundimit të afërt të Luftës së Parë Botërore kishin tentuar ti shfrytëzonin për interesat e tyre të dy palët, shqiptarët dhe malazezët. Shqiptarët shpresonin që ta arrinin bashkimin me shtetin amë, kurse malazezët përpiqëshin që të përfitonin nga largimi i Austro-Hungarisë për ti pushtuar dhe aneksuar viset e banura me shqiptarë. Parësia e këtyre krahinave nën kryesinë e Hasan Ferrit u përpoq të informonte popullin mbi situatën në të cilën ishin, duke dhënë përkrahje morale dhe shpresë. Nën udhëheqjen e Hasan Ferrit u mbajt një mbledhje tjetër, në të cilën u arritën disa vendime, ku u krijua një zonë me administratë shqiptare. Gjithashtu u vendos se ata që posedonin armë të jenë të gatshëm për mbrojtjen e atdheut, me çrast 1000 luftetarë u dërguan në kufi me Malin e Zi, për ti zënë pozitat që i lëshonin austriakët. Shqiptarët tani përveq malazezve, rrezikun e shikonin edhe nga serbët,të cilët depërtonin nën shoqërimin e forcave ushtarake franceze.

Informimi se ne Shkodër po vepronte Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe se u krijua qeveria shqiptare e Durrësit, i gëzoi shqiptarët e këtyre trevave . Sidomos Komiteti i Kosovës i jepte shpresë këtij populli. Populli i Plavës dhe Gucisë ishte përcaktuar që nese paraqitej nevoja, më parë duhet zgjedhur luftën se sa nënshtrimin. Komiteti i Kosovës e priti me gëzim këtë lajm, sepse ishte shumë i rëndësishëm për veprimtarinë e ardhshme të Komitetit. Udhëheqesit e Komitetit shprehnin mendimin se në qoftë se Plava dhe Gucia do të organizonin rezistencë të armatosur, ajo do të ishte bazament për një qendresë në të gjitha viset shqiptare, që kishin ngelur jashtë kufijve të vitit 1913. Bashkëpunimi në mes krerëve të Plavës dhe Gucisë me Komitetin e Kosovës rritej nga dita në ditë. Pikërisht ky komitet ishte qe e udhëhiqte veprimtarinë çlirimtare të këtij populli. Sipas udhëzimeve të Komitetit administrata shqiptare e krahinës duhej ta ruante rendin dhe qetësinë. Situata gjithnjë e më tepër tensionohej. Serbët dhe malazezët vazhdimisht bënin provokime, duke e trajtuar përmbajtjen e shqiptarëve si ligësi. Në atë rrethana, krerët e krahinës vendosën që disa shqiptarë të dalin në mal me mulla Agan Kojën e Plavës dhe Rexhë Voglin e Gucisë në krye. Këto dy çeta vepronin ilegalisht kundër provokimeve të malazezeve.

Përpjekjet diplomatike te Ismail Nikoçit

Në atë situatë të tencionuar në Shkodër u dërgua Ismail Nikoçi me qellim që të vendoste lidhje me konsullatën franceze dhe italiane dhe nga ata kërkoi mbrojtjen nga sulmi i Vasojeviqëve në Plavë e Guci. Sipas historiografisë jugosllave thuhet se te francezet nuk gjeti ndonjë përkrahje të plotë kurse konsullata italiane iu kishte dhënë përkrahje te plotë, duke deklaruar se nevojitet propaganduar në popull mbi idenë që Plava dhe Gucia duhet ti takojnë Shqipërisë. Kështu që pas kthimit nga Shkodra ku kishte marrë edhe instruksionet e Komitetit të Kosovës, Ismail Nikoçi deklaroi se Plava dhe Gucia duhet që ti bashkoheshin shtetit amë-Shqipërisë. Ismaili kishte qenë kryetar rrethi i Gucisë dhe në Shkodër shkoi për të kërkuar nga Fuqitë e Mëdha për të marrë nën mbikqyrje Plavën dhe Gucinë. Ai ishte gjithashtu përfaqsues i këtyre krahinave në Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” dhe një ndër atdhetarët më të shquar të çështjës kombëtare. Populli i këtyre trevave me një akt përfaqësimi të nënshkrur nga paria e këtyre trevave me datën 24.XII.1918 deklarohej se e autorizonte Komitetin e Kosovës me të drejta të plotëfuqishme që ti përfaqësojë krahinat e Plavës dhe të Gucisë, për ta realizuar synimin kombëtar. Bashkimi i Plavës dhe Gucisë me Shqipërinë e lirë e vetëqeveritare. Kështu, Plava dhe Gucia rreth dy muaj e gjysmë, gjatë dhjetorit, janarit dhe deri në gjysmën e shkurtit 1919 nuk pranuan asnjë pushtet, por qeverisën vetë. Në letrën e Ismail Nikoçit, i deleguari pranë Komitetit të Kosovës, dërguar kryetarit të Plavës dhe Gucisë më 4.I.1919 informohen se komandantët e Fuqive të Mëdha kanë siguruar që nuk do të ndodhë ndonjë sulm nga Serbia. Ai gjithashtu informon se ishte takuar gjashtë herë me përfaqësuesit anglezë dhe francezë dhe se ata i kishin informuar edhe qeveritë e veta lidhur me gjendjen e Plavës dhe Gucisë. Ata i kishin propozuar që të shkojë në Selanik te guvernatori, për të biseduar lidhur me internacionalizimin e Plavës dhe Gucisë në formën siç ishte Shkodra.

Kryengritje që synonte çlirimin

Më 4.I.1919 Komiteti i Kosovës i drejtohet me një letër parisë së Plavës dhe Gucisë, ku sigurojnë se veprimi i Komitetit është për të shpëtuar tërë Kosovën pra edhe Plavën dhe Gucinë që do të jenë një mbështetje e fortë për Kosovën. Në letrën e 31.I.1919 Komiteti e informon parësinë e këtyre krahinave se gjenerali Francshe Dospriey ka urdhëruar, që deri sa të përfundojë paqa, krahina e Plavës dhe e Gucisë nuk bën të pushtohen nga serbët dhe malazezët. Po ashtu këshillohen nga Komiteti që administrimi të bëhet me kujdes të madh dhe nese dikush nuk vepron si duhet të merren masa urgjente në menyrë që plaga të mos hapet. Përkundër përpjekjeve diplomatike në shkurt të vitit 1919, Komiteti i Kosovës informohet nga Plava dhe Gucia se janë grumbulluar 10 batalione ushtarësh për ti pushtuar këto vende, jo në emër të Malit të Zi, por në emër të Serbisë ku komunikata serbe theksonte: “të vriten 23 mijë banorët ( d.m.th krejt banorët e krahinës sonë) prandaj është më se e nevojshme që të ndërmjetësojnë Fuqitë e Mëdha me ushtritë e tyre sa më shpejtë”.

Në ato momente kritike për Plavën dhe Gucinë Komiteti i Kosovës i dërgoi në Plavë dy nga anëtarët e tij, Ismail Nikoçin nga Gucia dhe Ragip Begollin nga Peja me udhëtime të reja për veprime konkrete. Më parë ishte hartuar programi i përgjithshëm i veprimtarisë për kryengritje, i cili pothuajshe ishte identik me programin e kryengritjes së vitit 1919 në Kosovë. Siç vërehet pra edhe nga vetë programi janë prekur problemet esenciale të kryengritjes. Sipas programit vlen për tu theksuar pjekuria e udhëheqeve të Komitetit të Kosovës. Duke filluar nga largëpamësia, qartësia politike dhe maturia në realizimin e këtij programi, kërkohej që të mos kalohet nga mllefi në ekstremizëm, siç vepronin serbo-malazezët. Pra, gjatë hartimit të programit dallohen ndjenjat fisnike dhe atdhedashuria, por larg çdo shovinizmi dhe ndjenjë hakmarrëse. Reparti i armatosur i krahinës përbëhej nga 1000 luftëtarë të udhëhequr nga Bejto Plava dhe Shelko Kurti. Parashikohej që Rrafshi i Dukagjinit dhe Malësia e Gjakovës të jenë në gatishmëri posa të sulmojë Plava e Gucia.

Ushtria serbe e konsoliduar ushtarakisht dhe me veprime efikase e paralizoi planin e shqiptarëve, gjë që u paralizuan edhe shqiptarët e Rrafshit të Dukagjinit. Në bazë të marrëveshjes së mëparshme ushtria serbe dhe malazeze sulmuan në të njejtën ditë më 21.II. 1919 Rugovën, Plavën dhe Gucinë. Pas ditës së tretë të sulmit, ata i dërguan dy kolonelë ushtarakë për tu takuar me shqiptarët. Ata paraqitën kushte perfide, ndër të cilat ishte që ti deklarojnë si fajtorë krerët e Plavës dhe Gucisë, sepse kinse populli i Plavës dhe Gucisë nuk ka dashur luftë me ushtrinë serbo-malazeze. Kërkesat serbe ishin të paraqitura në 17 pika dhe të gjitha u hodhën poshtë nga populli i këtyre trevave. Ndër mbrojtësit shqiptarë u dalluan Mulë Dema, Bajraktar Buti , Çun Mula etj.

Masakra të tmerrshme

Pas dobësimit të rezistencës shqiptare, malazezët e sulmuan me te gjitha forcat Plavën. Ata bënë masakra të papara. Kundër këtyre mizorive protestuan atdhetarë shqiptarë dhe Komiteti i Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Numri i të vrarëve gjatë këtij sulmi ishte i madh. Sipas informatave që dhanë serbët për këtë luftë, “u vranë dy kryengritës dhe u plagosën dy persona” . Ky informacion nuk ishte i saktë sepse vetëm në Plavë janë numëruar mbi 450 njerëz, gra dhe fëmijë të vrarë. Nga masakrat e bëra një pjesë e popullit të Plavës dhe Gucisë u detyrua të ikë dhe të vendoset në Shqipëri, kryesisht Shkodër. Në bazë të të dhënave të Komitetit të Kosovës, në këto luftëra ishin vrarë 700 njerëz. Si dëshmi për këtë ishte kërkesa e Komitetit dërguar parisë së Plavës dhe Gucisë që të dërgohen pranë Komitetit emrat e tyre 700 njerëzve, përfshirë këtu edhe listën e emrave të 70 grave të masakruara. Këto statistika sipas komitetit nevojiteshin që tua dorëzonin komandantëve aleatë që ndodhëshin në Shkodër. Në ato momente kritike Komiteti i Kosovës del përpara udhëheqesve të këtyre trevave me parullën “durim, punë dhe guxim”. Mirëpo krahina e Plavës dhe e Gucisë nuk hoqi dorë nga qëndresa. Në muajin maj 1919 ekzistonin dy çeta me mbi 300 luftëtarë të udhëhequr nga Bejto Plava. Isamil Nikoçi nga Burbullushi me 25 qershor 1919, e informonte Bejto Plavën se më propozimin e Hoxhë Kadri Prishtinës dhe Bedri Pejanit duhet të niset për Durrës për tu furnizuar me municion.

Veprimtaria atdhetare e çetave shqiptare në Plavë-Guci dhe Kosovë vazhdoi me vite të tëra . Plavjanët dhe Gucianët gjatë tërë luftërave qëndronin pranë Bajram Currit në bashkëpunim me çetat çlirimtare kosovare, të udhëhequra nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës

 

Prof. Dr. Lush Culaj