Kozmopolitizmi dhe shqiptarët

SHQIPTARËT, TË MARGJINALIZUAR NË TË GJITHA SFERAT E JETËS SË PËRDITSHME

Nga Hajrullah Hajdari

Jeta politike dhe ekonomike në Mal të Zi vazhdon të jetë e trazuar dhe e paqëndrueshme. Një qeveri e tretë, e mandtit katërvjeçar të shumicës parlamentare hetoregjene në maksimum, të dalë nga zgjedhjet e 3 gushtit të vitit 2020 është në horizont. Për shtete e konsiliduara demokratike asgjë e keqe. Qeveritë vijnë e shkojnë, por institucionet shtetërore funksionojnë, ato janë të pavarura dhe të forta. Ndërkaq, në Mal të Zi  institucionet shtetërore janë krejtësisht të varura nga politika, pra janë të dobëta dhe si rrjedhojë mosfunksionimi i tyre në kapacitet të plotë patjetër që lë pasoja në jetën politike dhe ekonomike të këtij vendi.

Shqiptarët si gjithmonë në pritje! Për tridhjetë vitet e kaluara – të nënvlerësuar, të pabarabartë në politikë e zhvillim ekonomik me të tjerët, emigrues, me fjalë të tjera të margjinalizuar! Si pasojë e ndjekjes së këtij kuptimi politik, shqiptarët ishin dhe mbeten, sot e kësaj dite, vendet më të pazhvilluara në të gjitha sferat e jetës, më pak e padrejtësisht të përfaqësuar në organet politike dhe vendimmarrëse.

​Krijimi i Qeverisë së 43-të, në krye me kryeministrin Dritan Abazoviq, i deklaruar si shqiptar, sadopak ngjalli shpresën e shqiptarëve se pozita e tyre politike dhe ekonomike do të përmirësohej! Mirëpo, kjo qeveri pa i mbushur mirë 100 ditë pune u ç’votbesua (rrëzua) po nga të njëjtit që, me të drejtë apo pa të drejtë, e faktorizuan dhe një shqiptar u bë kryeministër i Malit të Zi. Deputetet shqiptarë (të partive shqiptare) në Parlamentin e Malit të Zi, të përçarë në mendime, të pakordinuar, votuan secili sipas dëshirës apo diktatit partiak. Votuan për rrëzimin e qeverisë apo ishin të përmbajtur! Sidoqoftë, kryeministër shqiptarë nuk kemi më. E kur do të kemi përseri, vështirë të parashikohet! 

“Budallëk më të madh s’kam dëgjuar. Shqiptarët nuk kanë pasur kurrë në histori kaq përfaqësim. 

Shqiptarët as në ëndërr s’e kanë parë se do të kishin një kryeministër shqiptar…..” kishte deklaruar ditë më parë kryeministri, tani më i shkarkuar, Abazoviq.

Çfarë përfaqëson kozmopolitizmi

Pa dashur të merrem me analizën e arsyes apo qëllimit të rrëzimit të qeverisë, dëshiroj të paraqes, për lexuesin mendimin tim për konceptin filozofik të të bërit politik të vetë kryeministrit – për kozmopolitizmin e tij, për të cilin krenohet dhe është deklaruar haptazi.

Për kozpomolitizmin ekzistojnë teori të ndryshme dhe rrjedh nga një fjalë me prejardhje greke: “kosmopolites“ ku “kosmos” do thotë botë ndërsa “polites” do të thotë qytetar. Fjala ka etimologji fare të thjesht, por sigurisht fare të qartë. Rrjedhimisht kozmopolit është ai që e konsideron veten siqytetar i gjithë botës, me mentalitet të hapur dhe me shoqëri pa kufizime.  Filozofi grek Sokrati kishte thënë: “Unë nuk jam athinas apo grek, unë jam qytetar i botës” çka do thotë se atij nuk i interesonte përkatësia as kombëtare e as fetare, mbase Athina dhe populli grek në kohën kur ai jetoi ishin mbi mesataren zhvillimore të qyteteve dhe provincave të asj kohe.

Sipas Enciklopedisë Kroate kozmopolitizmi është  një mendim i cili, në kundërshtim ose në mënyrë të pavarur nga patriotizmi, kryesisht mbron unitetin e njerëzve në mbarë botën; në një kuptim më të rreptë historik, një kuptim që ndasive shtetërore, kombëtare e ndonjëherë fetare u kundërvihet me unitetin e bashkësisë elitare të gjithë botës. Ndërsa sipas Enciklopedisë Popullore (BIGZ, 1976) kozmopolitizmi është një kuptim sipas të cilit kufinjtë shtetëror dhe kombësia nuk e kufizojnë njeriun sepse ai i takon bashkësisë botërore, është kozmopolit, qytatar i botës; këndvështrimi i përmbajtjes së lamishme ideologjike, duke marrë parasysh  pozicionin klasor të të tjerëve që e përfaqësojnë atë (ndërkombëtarizmi, nacionalizmi).Ndërkaq, sipas Fjalorit të gjuhës shqipe (Rilindja,1981), kosmopolitizmi është teori borgjeze,   që përpiqet të shuaj veçoritë e ndjenjat kombëtare, duke quajtur për atdhe gjoja gjithë botën, duke përçmuar vlerat e mëdha të kulturave e të traditave kombëtare dhe duke u mohuar popujve të drejtën për të jetuar të lirë e të pavarur në emër gjoja “ të bashkësisë së njrëzve të gjithë botës”, “të shtetit botëror” etj. me qëllim që të përligjë nënshtrimin e sundimin e popujve.  

Të gjitha këto mendime kanë një të përbashkët: zhvillimin e marëdhënieve ndërnjerëzore,    pa marrë parasysh kombësinë, fenë dhe kufijtë shtetëror. Ndryshimet qëndrojnë të fakti se larmia ideologjike vjen si pasojë e pozicioni klasor, ndërkombëtarizimit  apo nacionalizmit të shtresave të ndryshme shoqërore. Shuarja e veçorive dhe ndjenjave kombëtare kërkon një shkallë më të lartë të zhvillimit kulturor dhe ekonomik, jo vetëm të rajoneve të caktura brenda shtetit por edhe në përmasa evropiane dhe botërore. 

Barazia politike dhe ekonomike ishte koncept edhe i elites komuniste të cilët në teori predikonin “pa barazi politike nuk ka as barazi ekonomike”. Por, në praktikë nuk u arrit kurrë. Mbase dallimet kulturore, zhvillimi ekonomike e mbi të gjitha mbizotërimi i të “fortit” ndaj të “dobëtit” ishin dhe janë aq të thella dhe evidente, sot e kësaj dite. Sipas kësaj logjike, i bie që ata që jetojnë në mjedise të forta, pra ekonomikisht dhe kulturalisht dominues, e pëlqejnë kozmopolitizmin si burim i totalitarizmit dhe e kanë lehtë të bëhen të tillë, ndërsa ata që ndihen të rrezikur nga tendenca sunduese e totalitarizmit,  akoma e kanë të nevojshme të shfaqen si nacionalistë, jo pse janë kundër reflektimit pozitiv që përmbanë në mbrendinë e saj fjala “kozmopolit” por më qëllim që t’i shmangen thellimit të dallimeve zhvillimore, të cilat edhe më shumë mund të dobësojnë ndjenjën e natyrshme kombëtare si pasojë e instrumentalizimit të kombit prej politikës.

​Kozmopolitizmi, në mënyrë të përmbledhur është varianti kapitalist i internacionalizmit proletar, i cili në thelbin e tij ka shkëputjen e individit nga politika, nga vendi dhe traditat kombëtare të vendit që i përket individi. Për njeriun kozmopolit, nocioni atdhe, liri kombëtare, pavaresi, ideal kombëtare, nuk janë gjë tjetër veçse nocione primitive dhe të kapërcyer nga koha. Njeriu kozmopolit është dhe e konsideron veten e tij qytetar të të gjithë botës, veçanërisht qytetar të atyre vëndeve ku ai ka më shumë mundësi të realizojë dëshirat e tij përsonale.

Shoqëria malazeze dhe shqiptarët të papërgatitur  për këtë koncept politik

Thënë të drejten koncepti politik dhe mënyra se si Abazoviqi i sheh aspiratat e popullit malazez për realizimin e të drejtave politike dhe rrugën drejt Bashkimit Evropian, në një kohë kurë ekzistojnë aq dallime të mëdha si në sferën e historisë, kulturës apo zhvillimit ekonomik, janë të palogjikshme e të papranueshme për kohën që po jetojmë. Të jesh krenar për nënshkrimin e Kontratës bazë me KOS-in e cila e lumturun popullin ortodoks në Mal të Zi, anipse i bie vijë një pjese të historisë të një konstituenti kryesor të shtetit të Malit të Zi (malazezëve) dhe të një konstituenti tjetër si pjesëtar i popullit më të vjetër në Ballkan (shqiptarëve), nuk mund të cilësohet si pozitive në krijimin e raporteve të mira ndërnacionale. Te pretendosh se me nënshkrimin e kontratës së përmendur është eliminuar një problem i madh për Malin e Zi, pa mendur fare se keni hapur një plagë të re në marrëdhëniet ndërnacionale, i përngjet fjalës së urtë popullore: “Qep një pëllëmbë e shkep një pash”. Të pretendosh se “Ballkani i Hapur” është një ndërmarrje pozitive për Ballkanin Përendimor, pa një analizë të thukët ekonomike, pa koncept e vizion se çka mund t’i ofrojë një ekonomie të vogël e më pak të zhvilluar të Malit të Zi, lënë këtu anash çështjet e mëdhe e të pazgjidhura politike, s’është tjetër përveç se tentativë me çdo kusht e imponimit të mendimit personal, pa marrë parasysh pasojat që mund të imponohen sipas fjalës së urtë popullore” Peshku i madh e ha të voglin”.  

Kozmopolitizmi, koncept i shekullit të ardhshëm – XXII

Arritja e barazisë politike dhe ekonomike, zhvillimet rajonale pa kufi e pengesa është ëndërr e secilit, veçanërisht për ne shqiptarët. Por barijerat që ekzistojnë dhe janë aq të dukshme është vështirë që vetëm me fjalë të eliminohen e të lihen anash e gjithë e kaluara e hidhur historike që ekziston në mes të popujve përbëjnë Malin e Zi. Pajtimi duhet të arrihet, të ecim përpara është nevojë. Por, a është e lehtë të arrihet kjo pa u plotësuar e barazuar disa kërkesa, pa u arritur një nivel i caktuar i zhvillimit kulturor dhe ekonomik?! Sigurisht se jo.  

Shteti – kombi, karakterizohet nga sovraniteti, sistemi i ligjeve dhe institucioneve, pjesëmarrja e qytetarëve në jetën politike, kulturës, pjesëmarrja e përfaqësuesve të popullit në organizmat ndërkombëtare, niveli i zhvillimit ekonomik. Institucionet shtetërore në Mal të Zi janë të varura nga politika, funksionimi i shtetit ligjor as në fillimet e tij, lufta ndaj korupsionit politik dhe ekonomik, të themi, po sa ka filluar….! Shqiptarët në të gjitha sferat e jetës së përditshme janë të margjinalizuar! Atëherë çfare presim nga veprimet kozmopolite?!

Shqiptarët kërkojnë, së pari, barazi politike, përfaqësim politik së paku në nivelin e përfaqësimit të popullit serb jashtë Serbisë, dhe së dyti, zhvillim ekonomik conform resurseve natyrore që Zoti iu ka dhënë trojeve shqiptare. Rrugë shumë e gjatë është kjo! E pa këto arritje,veprimet kozmopolitepër shqiptarët janë të rrezikshme.

Padyshim e ardhmja e kozmopolitizmit në epokën e globalizmit botëror do të jetë më e qartë dhe më pak e paragjykuar. Veç se duhen ndryshime, duhet barazi, zhvillim ekonomik për të gjithë! Por, sidomos në Ballkan, duhet shumë kohë, ndaj duhet të presim e të shpresojmë shumë. Sipas të gjitha gjasave, kozmopolitizmi është nocion i të ardhmes, mbase mund të jetë i shekullit XXII.