Drejtori i Komitetit Malazez të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, Velija Muriq në një intervistë dhënë Zërit të Amerikës tha se gjykatat në Malin e Zi nuk janë të përkushtuara për drejtësi dhe për t’u marrë seriozisht me rastet e dyshuara për krime lufte.
Zoti Muriq vlerëson se që nga pavarësia e Malit të Zi janë mbajtur vetëm 8 gjyqe për krime lufte dhe vetëm një autor është dënuar. Ai vë në dukje se nëse nuk ndërmerren hapat e duhur në ndriçimin e rasteve të krimeve të luftës, Malin e Zi e presin problemet serioze në integrimet evropiane
Analistët dhe njohësit e çështjeve juridike në Mal të Zi vlerësojnë se sistemi gjyqësor në vend nuk ka vullnet dhe dëshirë për ndjekje penale të krimeve të luftës.
Duke folur për Zërin e Amerikës zoti Velija Muriq tha se gjykatat në Mal të Zi nuk janë të përkushtuara për drejtësi dhe për t’u marrë me të kaluarën e kohës së luftës.
“Mungon gatishmëria e gjykatave malazeze për procese të drejta gjyqësore, pasi vet kamë qenë i pranishëm nëpër seanca të ndryshme gjyqësore si mbrojtës i viktimave dhe familjeve të dëmtuara. Kjo sinjalizon se gjykatat në Mal të Zi nuk janë të përkushtuar për drejtësi dhe për tu marrë seriozisht me të kaluarën e luftës”.
Zoti Muriq vlerëson se nga pavarësia e Malit të Zi janë mbajtur vetëm tetë gjyqe për krime lufte, ku vetëm një autor është dënuar. Ai theksoi rastin e Husajve, në kufirin midis Malit të Zi dhe Kosovës ku 6 civilë të pafajshëm u ekzekutuan nga ish-ushtria jugosllave.
“Çështja e Husajve dhe vrasja e civilëve shqiptarë, fëmijë, pleqë dhe plaka, ku brenda një dite u ekzekutuan 6 persona, tregon turpin e gjykatës malazeze. Në vend që të bënin një ekspertizë të drejtë dhe të paanshme, ata lejuan që trupat e 6 viktimave nga spitali i Andrijevicës në Mal të Zi, ku u bë ekzaminimi i trupave të tyre, të transferohen në një fshat të Kosovës, afër Pejës, për të inskenuar se gjoja atje personat janë vrarë në konfrontim me forcat e armatosura serbe,”tha Muriq.
Ai vuri në dukje se në Mal të Zi , të dyshuarit për krime lufte vazhdojnë të jenë të lirë, ndërkohë që në progres raportin, Komisioni Europian përsëriti paralajmërimet se krimet e luftës duhet të jenë një përparësi e lartë për prokurorët malazezë.
“Kriminelët e luftës në Mal të Zi lëvizin të lirë dhe në këtë drejtim nuk ka ndonjë zhvillim pozitiv të gjyqësisë malazeze. Nëse nuk ndërmerren hapat e duhura në ndriçimin e rasteve të shumta të krimeve të luftës, atëherë Malin e Zi e presin problemet serioze në integrimet evropiane”, tha Drejtori i Komitetit Malazez të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, Velija Muriq.