Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka qëndruar sot në Kosovë me ftesë të kryeministri të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt, për të marrë pjesë në inaugurimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
E në këtë vizitë në Kosovë, Markoviq ka zhvilluar edhe një takim të ndarë me kryeministrin Haradinaj, në të cilin kanë diskutuar edhe për çështjen e shqyrtimit të marrëveshjes së demarkacionit të arritur vitin e kaluar në mes të dy shteteve.
Markoviq ka thënë se do ta trajtojë këtë çështje, jo se është një çështje politike, por se është një problem që duhet zgjidhur.
Ai ka thënë se për të bërë një gjë të tillë do të punohet sinqerisht, dhe pa agjenda të fshehura.
“Me këtë çështje jemi marrë jo vetëm për shkak të arsyeve politike, por edhe për arsye thelbësore që secili popull duhet t’i përcaktoj kufijtë e vet. Kjo gjë do të sjellë një stabilitet afatgjatë në mes të dy shteteve”, ka thënë Markoviq pas takimit me Haradinajn, raporton Gazeta Express.
Ai ka thënë se për të diskutuar rreth caktimit të vijës kufitare ndërmjet dy shteve, së shpejti do të krijohet edhe një komision i përbashkët.
“Kjo marrëveshje përmban disa procedura të caktuara të cilat shkojnë në drejtim të përcaktimit të vijës kufitare. Faza tjetër është krijimi i një komisioni të përbashkët, që në bazë të marrëveshjes do të bëj demarkimin”, ka shtuar ndër të tjera ai.
Markoviq ka thënë se në këtë çështje është e rëndësishme që të punohet në mënyrë të sinqertë dhe jo me agjenda të fshehura.
“ Me siguri do të ketë çështje të hapura, por me rëndësi është që t’i qasemi pozitivisht dhe të kemi një qëllim të mirë e të sinqertë, dhe jo me agjendë të fshehur. Besoj që shumë shpejtë do të fillojë faza e ardhshme , dhe do t’i shqyrtojmë gjërat deri në fund”, ka përfunduar Markoviq.
Me fjalën e Markoviq është pajtuar edhe Haradinaj, duke thënë se çfarëdo paqartësie e krijuar do të qartësohet.
“Pajtohem me ato që tha kryeministri Markoviq. Shkojmë me qëllimin më të mirë, dhe shkojmë në etapat e tjera të punës. Unë shpresoj se çdo paqartësi do të qartësohet përmes procesit që u tha” ka thënë Haradinaj.