Për nevojtarët e Komunës së Gucisë
Guci – Në aksionin e përbashkët të Organizatës komunale të Kryqit të Kuq të Plavës, dhe Komunës së Gucisë, më 2 dhe 3 prill 2020, në trevën e Komunës së Gucisë, janë ndarë mbi 110 pako ndihmë nevojtarëve.
Donacioni në formë të pakove, është siguruar përmes Kryqit të Kuq të Malit të Zi, të cilat janë distribuuar Organizatës komunale të Kryqit të Kuq të Plavës, të dedikuara për komunat e Plavës dhe Gucisë. Pakot me artikuj ushqimor dhe mjete higjienike, u janë ndarë familjeve me asistencë (ndihmë) sociale, familjeve pa të ardhura materiale, prindërve vetushqyes dhe të vetmuarve. Me ndihmën e ndarë në fjalë, janë përfshirë edhe 49 amvisëri në vendbanimin e refugjatëve Vruja në periferi të Gucisë. Pakot e ndihmës së ndarë përbëhen nga artikujt themelor jetësor (vaji, mielli, orizi, produktet e ndryshme nga brumi, etj.), si dhe nga mjetet higjienike.
Komuna e Gucisë përmes mbështetjes së siguruar logjistike (vullnetarëve, shujtave të tyre, transportit dhe karburanteve) në bashkëpunim me Organizatën komunale të Kryqit të Kuq të Plavës dhe me ndihmën e shërbimeve të veta, gjatë dy ditëve të para të aksionit ka ndarë mbi 110 pako ndihmë, kurse 90 pako tjera, do t’i ndajë në fillim të javës së ardhshme.
Me këtë rast, Komuna e Gucisë, falënderon sekretaren e Organizatës komunale të Kryqit të Kuq të Plavës, zonjën Ellvira Mulliq, për bashkëpunimin me organet relevante të Komunës së Gucisë, në radhë të parë me Inspeksionin komunal, Shërbimin policor, kujdesin për qytetarë dhe zbatimin e realizimin e pjesës së aktivitetit të Kryqit të Kuq në trevën e Komunës së Gucisë.
Shaban Hasangjekaj,
gazetar i të përjavshmes “Koha Javore”