Arbëneshët e Zarës
Historia dhe etnokultura e tyre (Materialet e sesionit shkencor të mbajtur më 10 tetor 2016), Instituti Albanologjik, Prishtinë 2018, 232 f.
Në tetor të vitit 2016 në Institutin Albanologjik të Prishtinës me një sesion shkencor u përkujtua eksodi i shqiptarëve nga Malësia e Mbishkodrës i vitit 1726 në Zarë, ndërsa këto ditë doli nga shtypi përmbledhja e kumtesave të prezantuara në këtë sesion
Naser FERRI
Në sesionin “Arbëneshët e Zarës-Historia dhe etnokultura e tyre” i cili ishte mbajtur më 10 tetor të vitit 2016 në Institutin Albanologjik të Prishtinës me rastin e përvjetorit të 290 të dhembshëm të shpërnguljes së tyre në Zarë, u prezantuan një varg kumtesash lidhur me këtë krahë të shkëputur gjeografikisht të shqiptarëve i cili edhe pas gati 300 vite i ka ruajtur historinë dhe etnokulturën e deri diku edhe gjuhën origjinale në mjedis të ri dhe në kushte e rrethana specifike.Nga këto kumtesa 14 sosh janë botuar bashkë me një shtesë me foto album me 27 foto nga punimet e sesionit dhe nga ekspozita e hapur me këtë rast në hol të Institutit) në botimin i cili doli këto ditë në vazhdën e veprimtarisë botuese të Institutit Albanologjik në Prishtinë.
Kumtesat në fjalë janë të autorëve të shquar nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Kroacia: Prof. Dr. Sadri Fetiu, Prof.Dr. Zeqirija Neziri, Akademik Gjovalin Shkurtaj, Prof.Dr. Qemal Murati, Prof.Dr.Mustafa Ibrahimi, Prof.Dr. Naser Ferri, Prof. Asoc.Dr.Memli Krasniqi, Prof.Dr.Isak Shema, Prof.Dr.Hysen Matoshi, Prof.Dr.Adem Zejnullahu, Prof.Dr. Leontina Gega, Fitim Çauishi, Prof.Asoc.Bashkim Lajçi, Sylejman Morina dhe Dr.Nuridin Ahmeti.
Në fjalën hyrëse të mbajtur me rastin e hapjes së sesionit drejtori i Institutit Albanologjik Hysen Matoshi jep një pasqyrë të shkurtër lidhur me eksodin e dhunshëm e të dhimbshëm të Arbëneshëve në vitin 1726 nga Atdheu dhe vendosjen e tyre në Kroaci të sotme, respektivisht në rrethinë të Zarës, të vuajtjeve të tyre dhe të aftësisë mbinjerëzore të arbëneshëve në ruajtjen e gjuhës, historisë dhe etnokulturës.Po ashtu ai zë në gojë mjaft intelektual e krijues me origjinë arbëneshe në fusha të ndryshme të kulturës si: Radosllav Katiçiq, Augustin Stipçeviq, Shime Deshpal, Pavle Deshpal, Valter Deshpal, Josip Rela, Daro Kallmeta, Mario Kotllar, Niko Karuc, Shime Periçiq, Alleksandar Stipçeviq, pastaj në fusha të ndryshme të shoqërisë kroate (fe, politikë, sport, ekonomi) Vicko Zmajeviq, Pavao Luçi Rela, Bonifacije Petroviq, Ivo Peroviq, Josip Gjergja, Ivan Prengja, Bozhidat Kallmeta, Pino Gjergja, të cilët kishin dhënë kontribute të rëndësishme në shtetin kroat duke i ruajtur me fanatizëm dhe duke mos i harruar kurrë rrënjët, historinë dhe kulturën arbëneshe.
Gjendjen sociale, poitike, fetare e ekonomike të arbëneshëve të Zarës gjatë shekullit XIX e ka prezantuar Zeqirja Neziri duke trajtuar presionet politike ndaj arbëneshëve, dezinformatat që plasoheshin lidhur me prejardhjen e tyre si dhe mënyrat e ndryshme të tentimit për asimilimin e tyre: përmes shkollimit në gjuhë joamtare, përmes ndikimit të kishës e të ngjashme, të cilëve megjithatë i rrezistuan dhe shpëtuan nga asimilimi i plotë.
Çështje të ndryshme lidhur me gjuhën dhe specifikat e gjuhës arbëneshe kanë trajtuar Gjovalin Shkurti (“Vlerat dialektologjike dhe sociolinguistike të së folmes së Arbëneshëve të Zarës”), Qemal Murati (“Gjuha e ruajtur 300 vjet-Vëzhgime leksiko-semantike në Fjalorin e arbëneshëve
të Zarës”) dhe Mustafa Ibrahimi (“Veçori etnolinguistike në fjalorin e të folmes së arbëneshëve të Zarës të Kruno Kërstiqit”)
Trajtime interesante lidhur më letërsinë e arbëneshëve kanë prezantuar : Isak Shema (“Arbëneshët e Zarës dhe identiteti i tyre në letërsi”(me theks të veçantë në veprat e Josip Relës, Shime Deshpalit dhe veprimtarinë e SHKA “Vicko Zmajeviq”), Hysen Matoshi (“Vepra letrare e Shime Deshpalit”) e Adem Zejnullahu (“Lirika popullore e arbëneshëve të Zarës”).
Folkloristja Leontina Gega trajton fushën mjaft interesante të folklorit arbënesh në kumtesën e saj “Format e shkurtra të folklorit arbënesh”(në këngë e tregime gojore), ndërsa më trajtime të çështjeve interesante të etnokulturës, respektivisht të jetës së tyre shpirtërore janë prezantuar Fitim Çaushi (“Ngjashmëri rituale dhe artistike midis arbëneshëve të Zarës dhe “Të qarës me ligje” në Labëri”) dhe Bashkim Lajçi me kumtesë “Rreth disa besimeve popullore tek arbëneshët e Zarës”(besimet rreth tabusë, demonëve, syrit të keq, vdekjes, rreth fëmijëve, kafshëve e të ngjashme).
Çështje tejet interesante lidhur me aspekte të opusit krijues të arbëneshëve ka prezantuar Nuridin Ahmeti në fjalën e tij me rastin e hapjes ekspozitës “Vepra të arbëneshëve dhe për arbëneshët”, në të cilën ishin prezantuar mjaft vepra të autorëve arbëneshë (Mijo Qurkoviq, Shime Periq, Josip Rela, Shime Deshpal, Aleksandar Stipçeviq por edhe të autorëve të tjerë lidhur me arbëneshët (Carlo Tagliavini, Idriz Ajeti, Ali D. Jasiqi, Isak Shema, Zeqirja Neziri etj.), pastaj të punonjësve të Institutit Albanologjik Naser Ferri, Hysen Matoshi, Lulëzim Lajçi si dhe përkthimet e disa veprave të Aleksandar Stipçeviqit në gjuhën arabe të përkthyera nga Muhamed Mufaku) .
Në këtë botim janë radhitur edhe kumtesat të cilat objekt trajtimi kanë personalitete të shquara arbëneshe të cilët kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në politikë gjatë kohës kur jetuan (Memli Krasniqi, “Roli i Josip Gjergjes në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave”), në kulturë kroate e arbëneshe: Shime Deshpali (Hysen Matoshi, “Vepra letrare e Shime Deshpalit”), Josip Rela e Shime Deshpali (Isak Shema ““Arbëneshët e Zarës dhe identiteti i tyre në letërsi”) dhe Aleksandar Stipçeviq (Naser Ferri,“Aleksandar Stipçeviq, Studiues dhe promovues i kulturës iliro-shqiptare”, ku janë prezantuar, pos tjerash, edhe veprat “Gli Illiri”, “Ilirët-historia, kultura, jeta”, “Arte degli Illiri”(Arti ilir), “Kultni simboli kod Ilira”(Simbolet e kultit te ilirët) dhe “Bibliographia Illyrica” përmes të cilave arkeologu, historiani e ilirologu Stipçeviq e kishte promovuar kulturën ilire anembanë botës në disa gjuhë botërore, e po ashtu edhe një varg veprash të tjera përmes të cilave profesori Stipçeviq e kishte promovuar albanologjinë dhe kulturën shqiptare.Për kontributin e tij të çmueshëm profesori Aleksandar Stipçeviq ishte zgjedhur anëtar i ASHAK dhe ishte dekoruar nga shteti shqiptar.
Sadri Fetiu ndërkaq në kumtesën e vet :”Vepër e rrallë për arbëneshët e Zarës” prezanton Aleksandar Stipçeviqin si studiues të historisë dhe të traditave të arbëneshëve të Zarës në dritën e veprës së tij “Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa” të botuar në Zarë në gjuhë kroate në vitin 2011 dhe të përkthyer dhe të botuar nga Instituti Albanologjik në Prishtinë në vitin 2013 më titull “Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës”.
Në kumtesën e tij “Arbanasi sot” Sylejman Morina jep disa hollësi interesante lidhur me fshatin Arbanasi (Arbënesh) dhe komunitetin arbënesh në Kroaci duke filluar me historiatin e shpërnguljes së organizuar të malësorëve nga fshatrat e Malësisë së Mbishkodrës (Shestan, Brisk, Levarë, Pinqiq) nën udhëheqjen e ipeshkvit Vicko Zmajeviq dhe vendosjen në rrethinë të Zarës, që asokohe ishte pjesë e Republikës së Venedikut (ku e kishin themeluar fshatin Arbënesh-
Arbanasi, afër Zarës) dhe katrahurat e vuajtjet e tyre, posaçërisht gjatë periudhës së komunizmit kur intelektualët arbënesh konsideroheshin elemente të dyshimtë e armiq të regjimit, persekutoheshin nga shërbimet e regjimit dhe iu mohonin të drejtat, siç ishte rasti me arkeologun e ilirologun me famë botërore Akademik Aleksandar Stipçeviq (v.j.) i cili, përkundër përgatitjes akademike e rezultateve të punës shkencore, për dekada të tëra ishte përndjekur nga UDBA famëkeqe dhe nuk kishte mundësi të ligjëronte në Universitet.
Kuptohet se në këtë sesion mbetën të pathëna shumë gjëra lidhur me arbëneshët dhe shumë personazhe të rëndësishme pa u përmendur për shkak të kohëzgjatjes së sesionit dhe numrit të pjesëmarrësve.Për këtë arsye janë tejet të rëndësishme të dhënat e prezantuara nga Sylejman Morina lidhur me personalitete të shquara e veprimtarë me origjinë arbëneshe nga Zara e mbarë Kroacia në lëmin e shkencës, muzikës, sportit, politikës e shumë fushave të tjera nga të cilët një numër i konsiderueshëm ishin dekoruar nga Bashkia e Zarës siç ishin: Prof.Dr.Slavko Peroviq, Monsinjor Simeon Duka, Maestro Pal Deshpali, Gjuzepe Pino Gjergja, Romano Bajlo, Prim.Dr. Albino Joviq, Dr. Milan Vladoviq, Shime Rela, Rikard Rela apo edhe nga Qeveria Kroate : Aleksandar Stipçeviq, Pal Deshpali, Josip Gjergja, ndërsa aktualisht nga komuniteti arbënesh janë dy akademikë anëtarë të HAZU (Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kroacisë): Eugenio Stipçeviq (i biri i Aleksandar Stipçeviq) dhe Pal Deshpali.
Është po ashtu edhe një numër i konsiderueshëm i femrave me origjinë arbëneshe të shquara në shkencë, kulturë, arte, sport e fusha të ngjashme si Prof.Dr. Maksimiliana Barançiq, Prof.Dr. Rozana Petani, pedagogia Mirta Tomas, violinistja Maja Deshpal, shkrimtarja Senka Paleka, gazetarja e HRT-së Ana Marushiq, trajnerja e basketbollit Marija Mazija, basketbollistja Lara Nikpali, artistja Doris Pinçiq e mjaft të tjera.
Të gjitha këto personalitete luajnë rol të rëndësishëm në shoqërinë e sotme kroate gjë që dëshmon që arbëneshët janë inkuadruar në shoqëri e në institucione të shtetit kroat por nuk e kanë harruar origjinën, doket e zakonet edhe pse, për fat të keq, dita ditës gjuha arbëneshe flitet më pak dhe madje kryesisht nga të moshuarit.
Morina thekson që lidhjet e arbëneshve të Zarës me Kosovë e Shqipëri një kohë të gjatë ishin në nivel individual-privat dhe së kohëve të fundit ka filluar një bashkëpunim më intensiv i Kosovës me arbëneshët përmes institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës e të Kroacisë, dëshmi i së cilit bashkëpunim ishte edhe prezenca e ambasadores së Republikës së Kroacisë në Kosovë znj.Marija Kapitanoviq në këtë sesion shkencor.
Pjesë e kësaj ngjarje kulturore ishte edhe ekspozita me titull “ Vepra të arbëneshëve dhe për arbëneshët” e organizuar në ambiente të Institutit Albanologjik me foto të veprave të autorëve arbëneshë dhe të autorëve të tjerë kushtuar arbëneshëve të cilën e kishte hapur Dr.Nuridin Ahmeti me fjalën e rastit të titulluar “Opusi krijues i arbëneshve”.
Mund të thuhet se ky botim është kontribut i rëndësishëm për njohjen e njërit nga krahët e shkëputur të kombit shqiptar, i cili për 300 vjet arritit të mbijetoi në një mjedis të ri shoqëror e kulturor pa kontakte me trungun amë por megjithatë i ruajti rrënjët, historinë, emrin, identitetin dhe kulturën origjinale deri më sot.