Kurti: Edhe pas 20 vjetësh të lirimi nga burgu i Nishit e gjej veten duke luftuar për një Kosovë sovrane e të pavarur

Kryeministri kosovar

Sot në Bruksel është mbajtur takimi i katërt i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, në të cilin pjesëmarrës ishte edhe kryeministri Albin Kurti.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti folur për këtë takim, teksa ka përmendur edhe lirimin e tij nga burgu i Nishit në Serbi, sot dy dekada më parë.

Ai ka thënë se edhe pas njëzetsh vjetësh, e gjen veten duke luftuar për të njëjtat kauza.

“Në këtë ditë, dy dekada më parë, u lirova nga burgu i Nishit në Serbi. Isha arrestuar më 27 prill 1999 në Kosovë, vetëm 34 ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe caqeve të saj ushtarake e paraushtarake për ta ndalur gjenocidin në Kosovë. Njëzet vjet më vonë, shumë gjëra kanë ndryshuar në botë, por ende e gjejmë veten, dhe unë e gjej veten, duke luftuar për të njëjtat kauza dhe duke u përballur me kërcënime jo aq të ndryshme. Kauza e një Kosove sovrane dhe të pavarur, e cila tani është një realitet i njohur nga shumë dhe i mohuar nga pak, dhe kërcënimi në rritje nga fqinji agresiv. E nuk ka vend më të mirë se në këtë shtëpi të Evropës dhe në këtë familje të madhe evropianësh që t’i ndaj këto kujtime dhe të bëj thirrje për më shumë zgjim, ndërsa ne së bashku përballemi me një kërcënim në rritje të autokratëve që po rriten gjithnjë e më shumë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Teksa foli për takimin e sotëm të zhvillaur në Bruksel, Kurti theksoi se ky takim është moment i rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Takimi i sotëm i Këshillit të Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovë, është moment i rëndësishëm në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, veçanërisht në funksion të nisjes së fazës së dytë të zbatimit të prioriteteve politike në kuadër të Agjendës së Reformës Evropiane (ERA)”, ka shkruar Kurti.

Delegacioni i Kosovës është udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, i cili është takuar me shefin e Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, komisionarin për Zgjerim Oliver Varhelyi, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Gjatë këtyre takimeve, kreu i Ekezkutivit kosovar ka përsëritur kërkesën se shtetet e Këshillit të BE-së duhet të marrin vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ai ka shtuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se beson se BE-ja duhet që të lëvizë para.