Në javën e fundit të dhjetorit do të nisin ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesën e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Kështu ka bërë të ditur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e tretë të Komitetit Ndërministror për koordinimin e procesit, përzgjedhjen e projektit dhe monitorimin e procesit të implementimit të projektit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Sipas tij, që nga themelimi i këtij komiteti është ecur me hapa të sigurt dhe veprime konkrete.
“Javën që vjen nisim ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesën e kompleksit”.
“Kemi vlerësuar gjendjen e ndërtesave brenda kompleksit tani po nisim ndërhyrjet emergjente. Kemi identifikuar ekspertët më të mirë, tani po e themelojmë komisionin e ekspertëve. Kemi nisur vlerësimet e para për çështjet pronësore brenda kompleksit ndërsa nga fillimi i viti të ardhshëm fokusi ynë do të jetë projekti i madh, pra masterplani për kompleksin memorial”, është shprehur Kurti.
Ai ka potencuar se gjatë mbledhjes së kaluar është miratuar raporti përfundimtar i vlerësimit të gjendjes fizike të ndërtesave brenda kompleksit.
“Raporti është hartuar nga inxhinierët dhe profesorët e fakultetit të ndërtimtarisë ndërkaq kjo është hera e parë që është realizuar një vlerësim i tillë profesional. Pas konstatimit të gjendjes kemi ndërmarr hapat e nevojshme”, shtoi ai.
Kryeministri Kurti është zotuar se në afatin optimal do të nisin punimet për të jetësuar projektin e Kompleksit Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
“I kemi mobilizuar të gjitha kapacitet tona dhe në këtë rrugëtim nuk do të kursejmë asgjë nga vetja jonë. Hartimi i projektit dhe nisja e punimeve brenda kompleksit janë detyrat ligjore të këtij komiteti dhe njëherit edhe detyrimi ynë moral ndaj familjes Jashari”.
“Si kryeministër zotohem se bashkë me Qeverinë tonë do të bëjmë më të mirën e mundshme që në afatin më optimal të nisim punimet për të jetësuar projektin e madh kombëtar, masterplanin e kompleksit memorial Adem Jashari”.