Kurti për mediat malazeze: Serbia po sillet si Rusia, nuk do ta lejojmë bosnjëzimin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një interviste dhënë për median malazeze “Pobjeda”, ka thënë se Serbia po sillet në Ballkanin Perëndimor sikurse Rusia me fqinjët e saj, duke tentuar që Republikën Serbe në Bosnjë e Hercegovinë ta shndërrojë në Bjellorusi e Malin e Zi në Ukrainë.

Sipas Kurtit, Serbia nuk e njeh shtetësinë e vendeve që nuk janë anëtare të BE-së, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën e madje edhe Maqedoninë e Veriut, transmeton Telegrafi.

Madje Kurti beson se Serbia këto shtete i konsideron si të përkohshme, dhe me të gjitha kapacitetet po angazhohet që të shkatërrojë shtetësinë e tyre.

“Raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë të njëjta: as më të mira, as më të këqija. Kemi të bëjmë me shtetin që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, që është autokratike dhe mbështetet në Moskë. Në anën tjetër, Kosova është e pavarur dhe shtet sovran, ka integritetin e saj territorial, por ka edhe shumë probleme”, tha Kurti për Pobjedën.

Ndërkaq i pyetur se cilat janë problemet e Kosovës, Kurti tha se problemi më i madh është Serbia, që nuk po mund ta paramendojë që ta njoh Kosovën si një shtet fqinj me të drejta të barabarta.

Madje kreu i ekzekutivit në Kosovë, i është përgjigjur pyetjes nëse paqja dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor varen nga marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë – duke theksuar se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për paqe dhe stabilitet, e për t’i pasur këto duhet demokraci, drejtësi dhe zhvillim që janë vlera evropiane.

“Serbia në Ballkanin Perëndimor sillet sikurse Rusia me fqinjët e saj: Republikën Serbe në Bosnje e Hercegovinë po tenton ta shndërrojë në Bjellorusi, e Malin e Zi në Ukrainë”.