Lidhja qytetare shqiptaro-amerikane theksoi sot se mbështesin qëndrimin se Serbia duhet të njohë “kushtetutshmërinë e Kosovës”, përpara se Serbia dhe Kosova të ulen në tryezën e bisedimeve.
Në deklaratën për media thuhet se është e qartë që Kosova po bën çdo gjë të mirë në ndërtimin e demokracisë dhe zbatimin e rendit dhe ligjit, ndërsa Serbia po bën çdo gjë të gabuar duke përdorur kërcënime dhe dhunë në veri të Kosovës kundër KFOR-it dhe gazetarëve dhe duke rrëmbyer tre policë të Kosovës.
“Ne qëndrojmë pas qëndrimit të arsyeshëm të kryeministrit Albin Kurti se Serbia duhet të njohë ‘kushtetutshmërinë e Kosovës’, përpara se Serbia dhe Kosova të ulen në tryezën e bisedimeve. Përndryshe, Kosova do të bëhet një ‘Republika Srpska’ tjetër – me pak fjalë, një shtet i dështuar dhe një problem i përhershëm për Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.
Për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Evropën Juglindore, njohja reciproke dhe përfshirja graduale e Kosovës dhe Serbisë në strukturat evropiane dhe në NATO është e vetmja rrugë përpara. Kjo mund të arrihet vetëm me mbështetjen e parezervë të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.
Sipas Lidhjes qytetare shqiptaro-amerikane kjo është arsyeja pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 23 qershor deklaroi se Kosova “është e gatshme për zgjedhje të reja në veri dhe për tërheqjen e Policisë nga objektet komunale në katër komunat veriore, por vetëm pasi të plotësohen kornizat ligjore për to”.
“Është e qartë se Kosova po bën çdo gjë të mirë në ndërtimin e demokracisë dhe zbatimin e rendit dhe ligjit, ndërsa Serbia po bën çdo gjë të gabuar duke përdorur kërcënime dhe dhunë në veri të Kosovës kundër KFOR-it dhe gazetarëve dhe duke rrëmbyer tre policë të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.