Në Podgoricë u mbajt biznes forumi Mali i Zi – Kosovë , organizuar nga Oda Ekonomike e Malit të Zi dhe me mbështetjen e Forumit të Biznesit Ulqin dhe shoqatës së biznesit Esnaf nga Prizreni. Qëllimi i forumit ishte të përmirësoj bashkëpunimin ekonomik midis afaristëve të Malit të Zi dhe Kosovës, i cili është një nga partnerët kryesorë të tregtisë së jashtme të Malit të Zi. Në forum folën nënkryetari i Odës Ekonomike Pavle Radovanoviq, kryetari i shoqatës Esnaf nga Prizreni Varis Xhejlani, kryetari i Biznes Forumit nga Ulqini Nazif Cungu, si dhe ministri i zhvillimit rajonal të Kosovës Fikrim Damka.
Kryetari i Forumit të Biznesit në Ulqin, Nazif Cungu është i kënaqur me lidhjet e forta dhe bashkëpunimin midis dy vendeve dhe theksoi se të dy vendet fqinje kanë një të ardhme të përbashkët që do të sjellë përfitime të mëdha si për ekonominë ashtu edhe për qytetarët, të cilat nuk janë shfrytëzuar ende plotësisht.
Vetëm me mbështetje të fortë institucionale, bashkëpunim dhe politikë më të fortë rajonale, të dy vendet kanë një të ardhme të sigurt për bashkëpunim. Ministri i Zhvillimit Rajonal në Qeverinë e Kosovës, Fikrim Damka, u shprehu mbështetjen e tij biznesmenëve, posaçërisht nga Kosova, se ata gjithmonë do të kenë mbështetjen institucionale dhe zhvillimore të Qeverisë, sepse kjo është e ardhmja dhe shtytësi i zhvillimit.