Mali i Zi, edhe me dy raste të reja me virusin Covid-19, njëri prej tyre në Plavë

Në fillim të informatës mbi gjendjen dhe situatën epidemiologjike në Mal të Zi dhe në rajon, e shkaktuar nga pandemia Covid-19, opinionin e njoftoj se dje në varrezat e Hrankoviqëve në Plavë, është varrosur personi 65 vjeçar nga ky qytet, i cili ka vdekur dje në mëngjes në Spitalin e Beranit, ku ka qenë i hospitalizuar për trajtim dhe mjekim nga koronavirusi, i cili njëherit ka qenë rasti i parë i regjistruar me koronavirus në këtë qytet. Ceremoninë e varrimit e ka kryer familja e ngushtë, pa pjesëmarrje të qytetarëve.

Theksojmë se në Plavë është regjistruar edhe një rast i ri me virusin Covid-19, burimi i të cilit është nga kontaktet në familjen e të ndjerit, ku janë të identifikuara edhe 4 raste me koronavirus.

Shënimet e Institutit të shëndetit publik të Malit të Zi, tregojnë se në 177 mostrat e testuara në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare të Institutit gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi, janë regjistruar dy raste të reja me virusin Covid-19: në Podgoricë – 1 dhe në Plavë – 1. Të dy rastet janë kontakte të rasteve të mëparshme.

Në 31 mostrat e testuara prej orës 22:45 deri në atë 16:30, nuk është regjistruar asnjë rast i ri i prekur me virusin Covid-19, dhe në 146 mostrat e testuara në intervalin kohor 17:00-08:30, janë identifikuar dy raste të reja me rezultat pozitiv në koronavirus: në Podgoricë – 1 dhe në Plavë – 1.

Të dhënat e sipërshënuara dëshmojnë se numri i të prekurve me koronavirusin e ri në trevën e Malit të Zi nga rasti i parë deri më sot ka arritur në 305 (169 meshkuj dhe 136 femra), prej të cilëve 52 janë fëmijë dhe të rinj (20 të moshës 0-9 vjeçare dhe 32 të moshës 10-19 vjeçare).

Nga numri i tërësishëm i të infektuarve në Mal të Zi, momentalisht janë 245 të sëmurë, në mjekim spitalor janë 38, kanë vdekur 5 dhe janë shëruar 55 pacientë, kurse nën mbikëqyrje janë 3631.

Numri i të infektuarve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-158,

Tuz-36,

Nikshiq-32,

Tivarë-23,

Ulqin-22,

Andrijevicë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Plavë-5,

Budva-4,

Danillovgrad-3 dhe

Tivat-3.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues: drejtori i Institutit të shëndetit publik në Mal të Zi, prof. dr. Boban Mugosha dhe ndihmësi i drejtorit të Qendrës klinike të Malit të Zi, dr. Nemanja Radojeviq, në konferencën për media të mbajtur dje në ora 17:00, pas deklaratave mbi gjendjen dhe situatën e përgjithshme epidemiologjike në Mal të Zi, në pyetjet e gazetarëve dhe të mediave e portaleve të ndryshme, kanë dhënë një sërë përgjigjesh konkrete e koncize me mjaft të dhëna shumë përfshirëse, një pjesë dërmuese e të cilave edhe këtë herë ka qenë e lidhur me situatën epidemiologjike në Spitalin e Beranit dhe Komunën e Plavës, përkitazi me pacientin e infektuar nga Plava, i cili në këtë spital ka vdekur dje, ku ka qenë i hospitalizuar për mjekim.

Në pyetjen e gazetares se a do të aplikohen masat e karantinit në Komunën e Plavës për shkak të rasteve të regjistruara me koronavirus, drejtori i Institutit të shëndetit publik, Boban Mugosha ka deklaruar se për tani nuk

planifikojnë që në këtë komunë t’i aplikojnë dhe fusin masat e vendosjes së qytetarëve në karantin, duke theksuar se për këtë nuk ka nevojë sepse të gjithë të infektuarit janë nga familja e pacientit të ndjerë, i sëmurë nga koronavirusi. Ai po ashtu ka konfirmuar se në vazhdë janë hulumtimet epidemiologjike për zbulimin e burimit të infektimit me koronavirus në këtë komunë.

Ndihmësi i drejtorit të Qendrës klinike në Podgoricë, dr. Radojeviq, ka konfirmuar se momentalisht në Mal të Zi janë të hospitalizuar për trajtim mjekësor 34 persona, prej të cilëve: 17 në Qendrën klinike në Podgoricë, 8 në Spitalin e Tivarit, 7 në atë të Nikshiqit dhe 2 në Spitalin e Beranit.

Prej 17 pacientëve të shtrirë në Qendrën klinike të Malit të Zi, 12 sish janë të vendosur në Klinikën infektive, 2 në atë interne dhe 3 pacientë në Klinikën e kujdesit intensiv, 2 prej të cilëve janë në respirator. Pacientët të cilët janë nën përkujdesjen intensive konsiderohen të sëmurë të rrezikuar me jetë edhe pse gjendja e tyre momentale është stabile.

Ndër shumë përgjigjet e pyetjeve të gazetarëve, doktori Radojeviq për pacientin nga Plava të prekur me virusin Covid-19, i cili ka vdekur dje në Spitalin e Beranit, ka deklaruar: “Jemi në dijeni se fjala është për të sëmurin kronik nga sëmundja e sheqerit dhe se shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes së tij ka qenë infarkti i muskulit të zemrës, por gjithsesi pacientët tjerë që kanë vdekur në Mal të Zi dhe kanë qenë pozitiv në koronavirusin Covid-19, i kemi regjistruar të vdekur nga pasojat e koronavirusit”.

Në shtetet e rajonit, gjendja epidemiologjike është ende trishtuese. Ka rritje dhe rënie të numrit të rasteve të reja me koronavirus.

Të dhënat e fundit dëshmojnë gjendjen momentale të të prekurve, të shëruarve dhe të vdekurve në shtetet e rajonit:

Në Shqipëri: 548 të infektuar, 302 të shëruar dhe 26 të vdekur;

Në Kosovë: 480 të infektuar, 84 të shëruar dhe 12 të vdekur;

Në Serbi: 5690 të infektuar, 534 të shëruar dhe 110 të vdekur;

Në Kroaci: 1814 të infektuar, 600 të shëruar dhe 47 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 1216 të infektuar, 320 të shëruar dhe 47 të vdekur;

Në Slloveni: 1317 të infektuar, 174 të shëruar dhe 70 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 1117 të infektuar, 139 të shëruar dhe 49 të vdekur.

Shaban Hasangjekaj