Nisma e “Ballkanit të Hapur, aktualisht përbëhet nga tre shtete, nga gjashtë sa janë në Ballkanin perëndimor. Megjithatë, ka mundësi që kësaj iniciative, t’i bashkohet edhe një shtet i katërt.
Paralajmërimi vjen nga Tirana, përkatësisht Taulant Balla, shef i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste. “Nuk ka asnjë dyshim që javët në vijim, edhe një tjetër vend do t’i bashkëngjitet Ballkanit të Hapur”, tha Balla sot në Kuvendin e Shqipërisë, raporton RTKlive.
Aktualisht, “Ballkanin e hapur” e përbëjnë vetëm Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, por që refuzohet nga Kosova, Mali i Zi e Bosnje e Hercegovina.
Balla nuk tregoi se cili mund të jetë ky vend që do t’i bashkohet kësaj nisme, por duke parë deklarimet e fundit të kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili tha se bashkëpunimi është në të mirë të rajonit, mund të aludohet se fjala është për këtë shtet.
“Ballkani i Hapur’ është në përputhmëni me Procesin e Berlinit. Problemi është se njerëzit në Ballkanin Perëndimor përpiqen të dramatizojnë çdo gjë”, ka deklaruar ditë më parë kryeministri Abazoviq, raporton RTKlive.
E deputeti shqiptar, Taulant Balla, derisa nuk përmendi emrin e vendit që mund t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”, u shpreh se edhe Bosnje dhe Hercegovina mund t’i bashkohet nismës, por pas zgjedhjeve që ky vend do të mbajë në vjeshtë.
“Unë jam shpresëplotë që me zgjedhjet e reja në vjeshtë në Bosnje dhe Hercegovinë, edhe qeveria boshnjake do t’i bashkohet ‘Ballkanit të Hapur’.
Sipas tij, “Ballkani i Hapur” i ka shërbyer eksportuesve shqiptarë, teksa shtoi se do t’i bënte thirje Kosovës që të bashkohet në këtë nismë.
Ndërkohë, Kosova e refuzon në mënyrë kategorike, për shumë arsye, “Ballkanin e Hapur”.
Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se “Ballkani i Hapur” mund të jetë, vetëm pasi Serbia të hapet me Kosovën.
“Si mund të hapet Ballkani kur Serbia mbyllet për Kosovën. Nuk na pranon pasaportën, dokumentet e identifikimit, diplomat, certifikatat apo vulat e Kosovës, Ballkanin mund ta kemi të hapur pasi Serbia të hapet me Kosovën”, ka thënë ndër të tjera kryeministri kosovar.
Në anën tjetër, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar se nëse në iniciativën “Balkani i Hapur” (Open Ballkan) nuk përfshihen që të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, atëherë ajo nuk do të funksionojë.
Iniciativa për bashkëpunim “Ballkani i Hapur” përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parasheh lirinë e lëvizjes së mallrave, kapitalit, shërbimeve e njerëzve mes këtyre tre shteteve.