Mali i Zi shkurton qëndrimin e të huajve: nga 90 në 30 ditë për vendet jashtë politikës së BE-së

Këshilli për Siguri Kombëtare i Malit të Zi ka miratuar masa të reja që synojnë forcimin e kontrollit ndaj të huajve dhe përafrimin me politikat e Bashkimit Evropian. Në mbledhjen e djeshme, të kryesuar nga kryeministri Milojko Spajiq, u vendos që Ministria e Punëve të Brendshme të ndryshojë Rregulloren për regjimin e vizave. Sipas ndryshimeve, shtetasit e vendeve që nuk janë të harmonizuara me politikën e vizave të BE-së, e që aktualisht hyjnë në Mal të Zi pa viza, do të mund të qëndrojnë vetëm 30 ditë, në vend të 90 ditëve sa lejohej më parë. Masat vijnë pas bisedimeve intensive që përfaqësuesit e qeverisë malazeze zhvilluan me zyrtarë të Republikës së Turqisë, me të cilët është arritur marrëveshje për bashkëpunim më të ngushtë dhe shkëmbim të të dhënave në fushën e sigurisë dhe migracionit. Po ashtu, Këshilli ka kërkuar që përmes ndryshimeve në Ligjin për të Huajt të përcaktohen qartë kushtet për lejet e qëndrimit të përkohshëm. Investimi minimal në pasuri të paluajtshme për marrjen e lejes do të jetë 200 mijë euro, ndërsa leja e qëndrimit në bazë të themelimit të kompanive do të kushtëzohet me punësim real me orar të plotë. Këshilli theksoi se janë evidentuar raste të shkeljeve të ligjeve tatimore nga kompani dhe individë të huaj, ndaj Administrata Tatimore do të dërgojë të dhëna Policisë për firmat joaktive në pronësi të të huajve, në mënyrë që të nisin procedurat për heqjen e lejeve të qëndrimit në rastet kur ka shkelje ligjore. Nga qeveria u bë e ditur se Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj standardeve evropiane dhe garantimit të sigurisë për të gjithë qytetarët dhe të huajt që qëndrojnë ligjërisht në vend, ndërsa këto masa janë pjesë e përforcimit të disiplinës në fushat e sigurisë, migracionit dhe fiskale. Në mbledhje morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë për Siguri Kombëtare, Policisë, Ministrisë së Punëve të Jashtme, Prokurorisë dhe Administratës Tatimore të Malit të Zi.