Me rastin e arrestimit të një të riu nga Podgorica në Gazimestan, Ministria e Punëve të Jashtme e Malit të Zi ka thënë se ambasada e këtij vendi në Prishtinë kontaktoi autoritetet e Kosovës dhe se do të ndërmerrte të gjitha masat e nevojshme, siç është thënë “për të mbrojtur qytetarin malazes”.
“Ne jemi informuar nga autoritetet kompetente të Kosovës se aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha aktivitetet e nevojshme për të sqaruar rastin dhe se të riut do t’i sigurohet ndihmë juridike. Ambasada e Malit të Zi do të vazhdojë komunikimin intensiv në mënyrë që të marrë më shumë informacion”, citohet të jetë thënë në një deklaratë.
Ndryshe, në Gazimestan, që gjendet rreth 15 kilometra larg Prishtinës, rreth 1,000 serbë nga Kosova, Serbia dhe vende të tjera të rajonit, u mblodhën për të shënuar Vidovdanin.
Ndërkohë, policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë festimit të Vidovdanit në Gazimestan, një person, shtetas i Malit të Zi, u ndalua nën dyshimin se kishte kryer krimin e shkaktimit të përçarjes dhe intolerancës dhe se të njëjtit, pas intervistimit, i është caktuar masa e ndalimit policorë për 48 orë.
“Të gjitha veprimet që lidhen me personin në fjalë do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin”, thuhej në njoftimin e policisë.