Në fshatin Martinaj të Komunës së Gucisë, shkolla fillore me paralelë të ndara funksionon me përkushtim, ndonëse përballet me sfida të mëdha të shkaktuara nga zbrazja e trojeve dhe vala e emigrimit. Këto plagë të kohës po ndikojnë drejtpërdrejt në zvogëlimin e numrit të nxënësve dhe në të ardhmen e arsimit në këtë trevë.
Sivjet, shkolla numëron gjithsej 13 nxënës, të shpërndarë në katër klasa:
- Në klasën e parë janë 3 fillestarë
- Në klasën e dytë 5 nxënës
- Në klasën e tretë 2 nxënës
- Në klasën e katërt 3 nxënës
Mësimdhënien e zhvillojnë dy mësues të rregullt, ndërsa orët e gjuhës malazeze dhe angleze mbahen nga dy mësues të tjerë që vijnë periodikisht. Për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e shkollës kujdeset një punëtor i dedikuar. Kushtet për punë janë mesatare, por falë përkushtimit dhe dashurisë për profesionin, procesi mësimor zhvillohet me sukses.
Në këtë realitet të vështirë, ku fëmijët janë gjithnjë e më pak, mbetet një mesazh i fuqishëm: edukimi nuk mund të ndalet, sepse është mision i shenjtë.
Në fund, një urim i përzemërt për vogëlushët e shkollës së Martinajve dhe për mësuesit e tyre: qofshi gjithmonë të bekuar për punën, përkushtimin dhe dashurinë që jepni çdo ditë në misionin fisnik të edukimit!
Esad Gjonbalaj
/Plava e Gucia Sot



