Nga prof. REXHEP DEDUSHAJ, historian
ESHTRAT NË PREVI KËRKOJNË DREJTËSI
Pasi Mali i Zi e okupoi krahinën e Plavë-Gucisë në tetor të vitit 1912, nuk kursehej asnjë formë e zhdukjes së popullsisë shqiptare, etnisë më të vjetër në Ballkan, duke i vrarë, masakruar, ndrrue fenë e kombësinë dhe përndjekur nga tokatë e tyre. Për vrazhdësinë e ardhacakëve sllavë mbi shqiptarët dëshmojnë veprat e ndërkombëtarëve si: “Enquete fans les Balkans”, Paris, 1914; Leo Preudlich: ”Albanians Golgotha”, Vjenë, 1913; Edith Durham: ”The Strugle of Scutari”, etj.
Pasi Veshoviqi e shfryni mllefin e vet duke i vrarë më se 63 burra të zgjedhur në Vuthaj dhe dhjetra të tjerë rreth e përqark tyre, kaloi në Deçan në dhjetor të vitit 1912 duke ia lëshuar vendin kriminelit ordiner: Avro Cemoviqit (i njohur në popull si Avro Cemi). Ky pasi i kishte pastruar etnikisht rrethin e Istogut të Pejes dhe të Rozhajës iu përvesh punës në Guci:
Së pari, ngriti gjyqet e jashtëzakonshme ushtarake-mbretërore dhe menjëherë filloi me ekzekutime të njerëzve të pafajshëm. Pushkatoi njerëz në Racinë të Plavës, duke filluar nga 5 marsi i vitit 1913.
Pastaj në Guci dhe nga 9 marsi 1913 fillon t’i dërgoi në kufirin Malazezo-Shqiptar, në Qafë të Previsë.
Sipas rregjistrave të të denuarëve nëpër gjyqet e lartpërmendura deri më tani dihet se nëpër varreza masive në Qafë të Previsë gjenden eshtrat e Haxhi Hasit, Haxhi Beqit, Ibrahim Halilit dhe vëllezërve Halil e Murat Haxhiut – të Radonciqëve; të Mulla Sheqit, Mujë Agës dhe dy djemëve të Talit e Hako Alit – të gjithë Omeragaj; të Ramë Zeqirit e Hasan Alkut të Kolinës; të Mala i Haxhi Sejdit- Nikoçaj dhe Sejdo Metku-Laliciq; të Ramë Kuja – Shujak dhe Hako Lita – i Cekajve; të Hako Smajli i Baliqëve dhe Jakup Arifi dhe Shaban Hasani – të Pepajve; të Began Sharku, Nuc Jakupi e Jupo Rexha – Sharkinaj; të Avdyl Zeka, Shaban Hasani e Mehmet Shabani – të Qosaj; të Reko Rama i Çelajve; Çelë Shaban Gjonbalaj dhe Mal Ibishi.
Grupi i dytë: Hasan Bajri, Adem Basha, Haxhi Shabani, Ali Frici, Bajër Zeqiri, Ibrahim Rrustemi dhe Sylë Istrefi – Nikoçaj; Avdi Hasani, Ibër Ahmet Aga dhe Avdi – Omeragaj, Mulla Emini dhe Mulla Hasi – të Bekteshaj; Mujk Ahmeti Delaj, Haxhi Jakupi Laliciq, Adem e Din Radonciqi; Hasan Smajli–Kolina; Ramë Nuri Sujkaj, Nuro Hysi Mekulaj, Asllan Jakupi Ferataj, Bajram Haxhia e Arif Avdyli – Balidemaj; Halil Sejdi – Dërvishaj; Adem Zeka – Qosaj, vëllezërit Shog dhe Hul Sokoli – Goçaj; Mujë Gali i Hasangjekaj, Bajram Xhuku-Dedushaj.
Por vërtetë ka edhe shumë e shumë të tjerë që s’i kanë rregjistruar fare, çka tregon edhe rasti i 16 vjeçarit Halil Nimanit – Çelaj, nipit të Memë Osës, djali i Memës, siç e quan rapsodi popullor, i pushkatuar më 9 mars:
Djali i Memës është tmerrue
Ç’janë këto vorre babë tue i marue???
Kështu, me gjyq e pa gjyq, siç thotë në një rast akademik Mark Krasniqi, u vranë gjithësejt 700 veta.
Vetem nga Vuthajt janë 78 vetë, duke i përfshirë edhe ata të Çeremit e të Valbonës.
Në Dukagjin, kur vdes ndonjë burrë e pyetin: A ka vdekë pak a krejt? Pak është nese ka lënë djalë të hajrit mbrapa e krejt nëse s’ka lënë fare.
Ata të shkretë që kalben në Qafë të Previsë, kanë lënë asi pasardhësish që sot s’e dinë as çka janë: Do thonë se janë shqiptar, do boshnjak, do turq e ca të tjerë kanë filluar të thonë se janë “Cernogorski Muslimani”(!!) E çka është më e keqja janë shpërndarë nëpër botë si zogjtë e qyqes dhe na bëjnë për të qeshur kur dëgjon se e kanë ngritur një pllakë përkujtimore për të masakruarit në Previ në një fshat të Nju Jorkut me emër si sllav: Monte Sello (!!) E asesi s’guxojnë ta ngritin një të tillë në Previ apo në Guci, prej kahit vijnë shumica e të masakruarëve !? Aty ku Hasan Bajri i tha atë ditë Avro Cemit:”Largou shkja g’jat je afrua”… Ndërsa vëllezërit Goçaj: Shok e Hul Sokoli u nisën duke kënduar.
Sidoqoftë, historia është histori.
Ata kalben në Previ, në kufi të Shqipërisë me Mal të Zi, duke bërë roje të përherëshmë në atë kufi dhe duke dëshmuar kështu për genocidin e parë sllav përmes formacioneve ushtarake të gjeneralëve fashist Veshoviq dhe Cemoviq ndaj popullit shqiptar.
Ishte ky një Holokaust shumë më përpara atij të Hebrenjve, të orkestruar nga dora fashiste hitleriane, që ka mbetur i padënuar, që plot 100 vjet !!??
Duhet të kërkohet përkrahje nga LQSHA e Dioguardit dhe nga Federata Panshqiptare ” Vatra”, që kjo çështje të kalojë në tavolinat e kancelarive diplomatike dhe mekanizmave ndërkombëtar në Bruksel dhe në Uashington.
Dihet se Turqinë po e pengojnë Armenët të hyjë në Bashkimin Europian për shkak të genocidit që ajo e bëri mbi ta në fillim të viteve 20-ta të shek XX.
Nuk thuhet kot se Historia që harrohet përseritet.
Kjo ekzakt është dëshmuar në atë krahinë edhe më 1919 ( kur u vranë e masakruan 500 veta) dhe më 1944-45, kur u vranë hiç më pak se 800 veta, nga të njëjtit – Vasoviqasit…