ME RASTIN E DITËLINDJES SË 88-TË TË AKADEMIK REXHEP QOSJA

Akademiku shqiptar me origjinë plavo-guciase Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 88-të. Akademik Qosja është lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Gucisë.

Katër klasët e para të shkollës fillore i ka kryer në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Shkollën normale e ka mbaruar në Prishtinë. Më 1964 ka diplomuar në Degën Gjuhë-Letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i ka kryer në Universitetin e Beogradit, ku në vitin 1971 ka marrë edhe titullin “Doktor i Shkencave Filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Një kohë të gjatë ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981.

Akademik Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsi dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, ese, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar mjaft recensione, vështrime, artikuj, trajtesa e studime në revista të ndryshme shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Për krijimtarinë shkencore e letrare Qosja është çmuar me: Shpërblimin e Qytetit të Prishtinës, në vitin 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit në vitin 1969; me dy shpërblime të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975, pastaj me Çmimin “Pjetër Bogdani” në vitin 2010 për romanin “Bijtë e askujt”, qyteti i Gjilanit ia ka dhënë Çmimin letrar- Beqir Musliu, më 22 qershor 2012. Akademiku Qosja është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 kur kishte drejtuar një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 Kryetari i Republikës së Shqipërisë ia kishte dhënë çmimin “Nderi i Kombit”. Akademik Qosja është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Akademik Rexhep Qosja jeton e vepron në Prishtinë.

Portali Plava e Gucia sot ia uron Akademik Qosjes ditëlindjen duke i uruar jetë të gjatë, shëndet të mirë e suksese.