Më shumë se gjysma e të prekurve në Mal të Zi me koronavirusin Covid-19, janë nga Podgorica

Të dhënat numerike të 11 komunave në Mal të Zi të prekura me koronavirusin Covid-19, më se gjysma e rasteve janë nga Podgorica. Prej gjithsej 262 rasteve të identifikuara, 137 sosh janë nga ky qytet.

Instituti i Shëndetit Publik njofton se në 285 mostrat e testuara në laboratorin mikrobiologjik gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi, në virusin Covid-19 pozitiv kanë rezultuar shtatë persona. Të gjitha rastet janë nga Podgorica, pesë nga kontaktet e mëparshme, kurse për dy burimi i infektimit është në kërkim.

Në 125 mostrat e testuara në intervalin kohor 8:30-16:45, pozitiv në koronavirus kanë rezultuar dy persona, dhe në 160 mostrat e testuara në intervalin kohor 16:45-8:30, pozitiv kanë rezultuar 5 persona.

Nga të dhënat e sipërshënuara, rrjedh se numri i të prekurve me koronavirusin Covid-19 në Mal të Zi ka arritur në 262 (143 meshkuj dhe 119 femra), prej të cilëve 44 janë fëmijë dhe të rinj (14 të moshës 0-9 vjeçare dhe 30 të moshës 10-19 vjeçare).

Numri i të prekurve me Covid-19 në 11 komunat e Malit të Zi është:

Podgoricë-137,

Tuz-36,

Nikshiq-31,

Tivarë-21,

Ulqin-9,

Andrijevicë-7,

Bijello Pole-6,

Herceg Novi-6,

Budva-4,

Danillovgrad-3 dhe

Tivat-2.

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues për sëmundje infektive, në konferencën e fundit për media, kanë konfirmuar se 42 të prekur me koronavirusin Covid-19 janë të hospitalizuar në spitale, 17 prej të cilëve në repartet gjegjëse të Qendrës klinike në Podgoricë, 4 prej të cilëve për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore (të jetës në rrezik) janë të kyçur në respirator. Nga pasojat e koronavirusit, deri më tani 2 të sëmurë kanë ndërruar jetë dhe 5 persona të shëruar janë dërguar në shtëpi për trajtim dhe përkujdesje të mëtjeme.

Përfaqësuesit e trupit në fjalë, po ashtu kanë njoftuar se 20 punëtorë të profileve të ndryshme shëndetësore të prekur me virusin Covid-19, gjenden në izolim.

Gëzon fakti se në 13 komunat e Malit të Zi, kryesisht nga Veriu i tij, ndër të cilat edhe ato të Plavës, Gucisë dhe Rozhajës, të banuara edhe me popullatë shqiptare, ende nuk ka rast të prekur me pandeminë Covid-19.

Në shtetet e rajonit, nga pasojat e pandemisë Covid-19, gjendja ende është alarmante, e më shprehur në Kroaci. Të dhënat e fundit dëshmojnë se numri i të prekurve, të shëruarve dhe të vdekurve është i dukshëm, ku më shumë e ku më pak.

Në Shqipëri: 433 të infektuar, 197 të shëruar dhe 23 të vdekur;

Në Kosovë: 250 të infektuar, 52 të shëruar dhe 7 të vdekur;

Në Serbi: 3105 të infektuar, 118 të shëruar dhe 71 të vdekur;

Në Kroaci: 1495 të infektuar, 231 të shëruar dhe 21 të vdekur;

Në Bosnje e Hercegovinë: 917 të infektuar, 137 të shëruar dhe 37 të vdekur;

Në Slloveni: 1188 të infektuar, 148 të shëruar dhe 50 të vdekur dhe

Në Maqedoninë e Veriut: 711 të infektuar, 41 të shëruar dhe 32 të vdekur.

Shaban Hasangjekaj