Ministrja e Integrimit Evropian jep lajmin e mirë: Kosova ka siguruar votat pro liberalizimit të vizave

Pavarësisht asaj se 28 qershori ishte data e përfolur për raportin e Komisionit Evropian lidhur me përmbushjen e kriterit të fundit drejt liberalizimit të vizave, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha thotë se raporti pritet ditëve të ardhshme.

Ajo është shprehur optimiste se rekomandimi do të jetë pozitiv.

Nga vizita e fundit që ministrja Hoxha ka pasur në Bruksel, sipas kësaj të fundit del se nuk do të ketë shtyrje të rekomandimit.

“Rekomandimi pritet të dalë në ditët e fundit të qershorit ose në ditët e para të korrikut. Rekomandimi presim të dalë pozitiv. Rekomandimi do të dalë para pushimit dhe kjo është çështje ditësh. Dhe ky është vetëm hapi i parë drejt integrimit. Synimi ynë është që sado që të mund të bëjmë, pasi që ne i kemi plotësuar kriteret, që të inkurajojmë eurodeputetët”, tha ajo.

Nga kjo vizitë ajo tha se ka siguruar votat pro nga eurodeputetët.

 

“Liberalizimi i vizave është vetëm ndër hapat e parë drejt integrimit. Kam kërkuar përkrahje nga euro-deputetët. Me kënaqësi mund të them se kemi siguruar votat ‘për’ nga eurodeputetët”, u shpreh ajo.