Në një seancë në Kuvendin e Shqipërisë që nuk ka zgjatur më shumë se një orë, opozita dhe mazhoranca kanë bashkuar votat duke miratuar marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Malit të Zi për ndërtimin e urës mbi Bunë. Ky projekt u miratua me 92 vota pro.
Ura 300 metër mbi lumin e Bunës pritet të jetë gati 18 muaj pasi të përfundoi procesi i tenderimit.
Ky projekt do të bashkë-financohet nga të dyja qeveritë dhe do të shkurtojë ndjeshëm distancat mes Velipojës e Ulqinit që tani është rreth 73 kilometra.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, pika kufitare Shën Nikollë-Pulaj do të shërbejë si pikë kufitare për Urën mbi Lumin Buna. Kostoja e urës dhe pikës kufitare do të shkojë deri në 20 milionë euro dhe do të ndahet në mënyrorë të barabartë midis dy vendeve.
Ndërkohë, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Shqipërisë dhe qeverisë gjermane u miratua me 72 vota.