Ndahet nga Jeta Poeti dhe Gazetari i Njohur Ibrahim Berjashi

Me pikëllim të madh është bërë e ditur ndarja nga jeta e poetit dhe gazetarit të njohur Ibrahim Berjashi. Lajmin për vdekjen e tij e ka bërë të ditur djali i tij, Arbeni, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur dhimbjen dhe mungesën e madhe për humbjen e babait.

“Nuk kam fjalë të mjaftueshme për të shprehur dhimbjen dhe humbjen kaq të madhe që kam sot. Kujtimet dhe dashuria e jote do të jetojnë gjithmonë në zemrën tonë,” – shkroi Arbeni.

Ngushëllime ka shprehur edhe poeti Hajredin Kovaçi, i cili e ka cilësuar humbjen e Ibrahim Berjashit si një zbrazëti të madhe në botën e artit dhe letërsisë shqiptare. Kovaçi ka bashkangjitur edhe një poezi të të ndjerit me titull “M’ka marrë malli me shku n’Shkodër”, një shprehje e ndjenjave dhe mallit të Berjashit për qytetin e Shkodrës.

Ibrahim Berjashi lindi në vitin 1948 në Ostros të Krajës, Komuna e Tivarit. Ai kreu Normalen në Ferizaj, Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë dhe studioi Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. Ishte një ndër themeluesit dhe kryetari i parë i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” në Ulqin dhe një nga organizatorët e manifestimit letrar “Kalimera poetike”. Për një kohë të gjatë ka qenë edhe korespondent i gazetës Rilindja.

Pritja për ngushëllime bëhet deri në ora 15:00 te shtëpia në Gjerana, ndërsa varrimi do të bëhet në ora 16:00.

Plava e Gucia Sot shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen Berjashi, të afërmit dhe miqtë e të ndjerit. Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë përgjithmonë në kujtesën tonë.