New York, korrik 2025 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një ceremonie solemne në New York, nderoi post-mortum z. Rexhep Gali Balidemaj me Urdhrin “Hasan Prishtina”, në shenjë mirënjohjeje për jetën dhe kontributin e tij të jashtëzakonshëm në dobi të çështjes kombëtare dhe komunitetit shqiptar në diasporë.
Po ashtu, Presidentja Osmani dekoroi me të njëjtin çmim edhe bashkëvendësin tonë dhe aktivistin e mirënjohur, z. Bruno Selimaj, për angazhimin e tij të vazhdueshëm në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të shqiptarëve dhe të çështjes së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në të njëjtën ceremoni, me Çmimin Presidencial “Anton Çeta”, për kontribut të madh në çështjen kombëtare, u nderuan edhe vëllezërit Brunçaj, si dhe z. Demë Balidemaj – figura të njohura për përkushtimin e tyre në ruajtjen e identitetit dhe përfaqësimin e dinjitetshëm të komunitetit shqiptar në diasporë.
Nderimi i aktivistëve të shquar nuk përfundoi aty. Në një postim në Facebook, z. Ilir Zherka falënderoi presidenten Osmani për mirënjohjen që mori, duke shkruar:
“Pata nderin të marr sot Çmimin ‘Urdhri i Pavarësisë’ nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Dëshiroj të shpreh mirënjohjen për të gjithë aktivistët e tjerë që u nderuan sot, veçanërisht për xhaxhallarët e mi – vëllezërit Brunçaj – të cilët u nderuan kolektivisht me një çmim të veçantë.”
Këto dekorata përfaqësojnë një vlerësim të thellë institucional për kontributet e paçmueshme që shqiptarët e Amerikës kanë dhënë në rrugëtimin historik të Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit.
/Plava e Gucia Sot
https://www.facebook.com/share/v/19NakfurhV/?mibextid=wwXIfr







