Ndërroi jetë në SHBA Pjetër Leka Ivezaj – dallëndyshja që tronditi Jugosllavinë komuniste dhe paralajmëroi pranverën e lirisë shqiptare

Ka ndërruar jetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Pjetër Leka Ivezaj, një nga figurat më domethënëse të rezistencës shqiptare në mërgatë dhe një rast unik politik që e detyroi Jugosllavinë komuniste të përkulet përballë presionit amerikan dhe angazhimit të fuqishëm të diasporës shqiptare.

Pjetër Ivezaj nuk ishte vetëm një aktivist i përkushtuar, por një simbol i gjallë i faktit se regjimi jugosllav, pavarësisht propagandës së tij “liberale” ndaj Perëndimit, ushtronte represion brutal, diskriminim sistematik dhe drejtësi politike ndaj shqiptarëve në trojet e tyre etnike.

Arrestimi i tij në verën e vitit 1986 gjatë një vizite në vendlindje zbuloi lakuriq fytyrën e vërtetë të Jugosllavisë: një shtet që predikonte barazi, por burgoste shqiptarë për bindje politike dhe angazhim kombëtar. Ky akt shkaktoi reagim të menjëhershëm në opinionin ndërkombëtar, veçanërisht në SHBA, ku u pa qartë se Jugosllavia nuk ishte “oazi i tolerancës” që përpiqej të shiste në arenën ndërkombëtare.

Pas demonstratave studentore të vitit 1981 në Prishtinë, diaspora shqiptare në Amerikë u shndërrua në faktor politik real. Protestat, lobimi institucional dhe presioni i drejtpërdrejtë mbi Kongresin Amerikan e nxorën çështjen shqiptare nga errësira e censurës jugosllave. Pjetër Ivezaj ishte pjesë aktive e këtij mobilizimi, gjë që regjimi nuk ia fali.

Megjithatë, për herë të parë në historinë e saj, Jugosllavia komuniste u detyrua të tërhiqej. Falë presionit të Kongresit të SHBA-ve dhe reagimit të organizuar të mërgatës shqiptare, autoritetet jugosllave u detyruan ta lirojnë Pjetër Ivezajn brenda 24 orëve, duke shfuqizuar një vendim gjyqësor të formës së prerë. Ky akt përbënte një precedent të rrezikshëm për regjimin dhe shënoi çarjen e parë serioze të autoritetit të tij ndërkombëtar.

Përpjekjet e UDB-së për të heshtur diasporën përmes shantazhit dhe frikësimit të familjarëve të tij dështuan. Propaganda e tyre cinike u thye nga fuqia e fjalës së lirë, nga media perëndimore dhe nga ndërgjegjja politike amerikane.

“Çështja Ivezaj” u kthye në një aktakuzë publike ndaj Jugosllavisë. Amnesty International e shpalli Pjetër Ivezajn “Person of Conscience of the Year 1986”, duke e cilësuar si të burgosur ndërgjegjeje – një damkë e rëndë politike për regjimin e Beogradit. Kongresmenë, senatorë, media prestigjioze dhe dhjetëra mijëra shqiptarë u rreshtuan hapur në mbrojtje të tij. Ky rast tregoi se kur diaspora shqiptare vepron e bashkuar dhe e koordinuar me aleatët strategjikë, edhe regjimet represive detyrohen të lëshojnë pe.

Dokumentari i transmetuar nga rrjeti ABC me rastin e 200-vjetorit të Kushtetutës së SHBA-ve, i ndjekur nga mbi 60 milionë amerikanë, e vulosi përfundimisht këtë rast si njërën nga goditjet më të forta morale dhe politike ndaj Jugosllavisë së atëhershme.

Fjalët e personaliteteve të mëdha shqiptare mbeten dëshmi historike:

Adem Demaçi – “E kujtojmë me dashuri dhe respekt Pjetër Ivezajn dhe familjen e tij”;

Ismail Kadare – “Me rastin e Pjetër Ivezaj filloi rënia e Jugosllavisë.”

Vizita e tij në vendlindje dhe përballja me regjimin nuk ishin rastësi, por sinjal. Ishte dallëndyshja e parë që paralajmëroi se pranvera e lirisë po afrohej dhe se perandoritë e ndërtuara mbi padrejtësi e represion e kishin fundin e pashmangshëm.

Shënim i redaksisë:

Ky shkrim është bazuar nga postimi i aktivistit të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan, z. Gjon Ivezaj.

Ngushëllim dhe vlerësim nga redaksia:

Redaksia e portalit Plava e Gucia Sot shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Ivezaj. Me respekt të veçantë nderojmë jetën dhe veprën e Pjetër Leka Ivezajt, një atdhetar i vendosur, që me guximin dhe sakrificën e tij dëshmoi se liria nuk dhurohet, por fitohet – edhe nga mërgata, edhe përballë perandorive politike.

/Plava e Gucia Sot

Pjetër Leka Ivezaj