Sot, në Shtëpinë e Kulturës në Vuthaj, mbërriti një donacion me shumë vlerë për këtë godinë të ndërtuar me kontributin bujar të mërgatës sonë. Kelmend Riza Ahmetaj, i cili jeton në Vuthaj, në bashkërendim me vëllezërit e tij, Fadil dhe Demush Ahmetaj nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhuruan 2500 dollarë amerikanë për blerjen e 50 karrigeve dhe 6 tavolinave portative (të palosshme).
Ky donacion u bë në nder dhe kujtim të babait të tyre të ndjerë, Riza Zymer Ahmetaj, duke e kthyer veprën në një akt dashurie dhe respekti ndaj rrënjëve familjare dhe vendlindjes.
Me këtë gjest fisnik, vëllezërit Ahmetaj dëshmuan edhe një herë atdhedashurinë e tyre për tokën ku u lindën dhe u rritën. Edhe pse jetojnë larg, zemra dhe përkushtimi i tyre janë gjithmonë pranë Vuthajve.
Ky donacion kërkonte angazhim dhe organizim edhe në SHBA – një vend ku koha shpesh është e pakët për të gjithë. Megjithatë, për realizimin e këtij projekti u angazhua pa u lodhur Vesel Ali Qosaj, i cili, së bashku me Shaban Xh. Mehaj, kreu me sukses blerjen dhe organizimin e transportit ndërkombëtar drejt Vuthajve.
Logjistika e transportit kërkonte përkushtim edhe në marrjen e mallrave në portin e Tivarit. Pavarësisht sfidave, Kelmendi, sërish në shërbim të komunitetit dhe me interesin më të mirë për Vuthajt, bashkërendoi punën me Veselin për të kapërcyer burokracitë portuale dhe për ta sjellë me sukses këtë dhuratë të çmuar në Shtëpinë e Kulturës – shtëpinë e përbashkët të të gjithë Vuthjanëve.
Jemi thellësisht mirënjohës dhe falënderues ndaj të gjithë atyre që kontribuuan me përkushtim, dashuri dhe mund në këtë nismë të vyer. Kjo vepër u realizua në heshtje, pa bujë, por me zemër të madhe e me respekt për trojet nga të cilat janë larguar bijtë e saj, por që i mbajnë gjithmonë në zemër – kudo në botë.
Faleminderit nga zemra!
/Plava e Gucia Sot







