NJË PADREJTËSI E PAPËRMIRËSUAR HISTORIKE

Prof Dr Naser FERRI

Sot një vit, Presidentja e Kosovës, znj. Vjosa Osmani, e dekoroi Jakup Ferrin me një dekoratë të quajtur “Urdhëri i Lirisë”, dekoratë kjo e njëjtë me atë me të cilën më herët e kishte dekoruar edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha.

Edhe 145 vite pas rënies së tij heroike si komandant në fushëbetejë në Luftën legjendare të Nokshiqit, ky personalitet historik mbarëshqiptar, njëri nga themeluesit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe pjesëmarrës në shumë ngjarje të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar, AKOMA nuk është shpallur Hero i Kombit, as nga institucionet përkatëse shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe as nga ato të Republikës së Kosovës, siç e ka merituar me veprimtarinë dhe sakrificat e tij për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare.

Nuk janë dekoruar, po ashtu, me dekorata të merituara as pasardhësit e Jakupit: Hasan, Riza dhe Shemso Ferri, të cilët vazhduan luftën për çështjen kombëtare edhe pas rënies së Jakupit deri në vitin 1945, duke sakrifikuar jetën e tyre për këtë kauzë.

Ngushëllon fakti që Jakup Ferri ende jeton në kujtesën e popullit, në këngët që ia thuri populli dhe në veprat e të madhit Gjergj Fishta.