Kuvendi zgjedhor i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) ka zgjedhur më 23 dhjetor anëtarët e rinj të rregullt dhe korrespondentë të Akademisë.
Ndër të përzgjedhurit është edhe bashkëvendësja jonë, prof. Zake Prevlukaj. Ajo ka lindur në Martinaj të Gucisë, ndërsa është rritur dhe arsimuar në Prishtinë. Përzgjedhja e saj si anëtare korrespondente e ASHAK-ut në fushën e arteve është mëse e merituar.
Profili dhe arritjet profesionale
Zake Prevlukaj diplomoi në vitin 1991 në Fakultetin e Arteve DAF për Pikturë, në klasën e prof. Nysret Salihamixhiqit. Në vitin 1993 filloi punën si Docente për lëndën Pikturë Monumentale. Në vitin 1997 magjistroi për Pikturë në klasën e prof. Muslim Mulliqit. Në vitin 2000 mori klasën e pikturës me thirrjen Profesor i Asocuar, ndërsa në vitin 2010 u avancua duke fituar titullin Profesor i Rregullt për Pikturë.
Prof. Prevlukaj ka dhënë kontribut të rëndësishëm në arsimin e lartë, duke ligjëruar jo vetëm në Fakultetin e Arteve, por edhe në universitete verore dhe institucione të ndryshme kulturore brenda dhe jashtë vendit. Përveç krijimtarisë së saj artistike multidisiplinare, ajo ka kontribuar edhe në kritikën e artit dhe në shkrime të botuara në disa gazeta.
Me ndërmarrjen artistike “Ballkani i Ri” (New Balkan), ajo ka realizuar projekte artistike si murale, mozaike, art publik, ekspozita dhe debate brenda dhe jashtë Kosovës. Kuron ekspozita multidisiplinare, duke mbështetur veçanërisht artistët e rinj. Veprat e saj janë pjesë e koleksioneve të disa galerive të njohura, përfshirë edhe National Museum of Women in the Arts në
Washington
Në vitet ’90, Zakja realizoi art të angazhuar duke rezistuar ndaj represionit dhe dhunës së asaj kohe. Ekspozita e saj “X-sat flasin” u bë një thirrje drejtuar NATO-s përmes performancave, instalacioneve dhe pikturave konceptuale.
Zakja ka udhëhequr Galerinë Kombëtare të Kosovës në cilësinë e kryetares së bordit dhe ka qenë anëtare e Këshillit Inicues për themelimin e Muzeut të Arteve Bashkëkohore të Kosovës. Ajo ka marrë pjesë aktive në themelimin e projekteve artistike dhe kulturore, përfshirë edhe iniciativën “Cast Moment Trenutak”.
Ne cilesin e artistes ka kontribuar në themelimin e Muzeut të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë.
Ajo jeton dhe vepron në Prishtinë, duke mbetur një figurë e fuqishme e artit dhe kulturës. Asnjë sfidë nuk e ka mposhtur; ajo ka qëndruar e palëkundur përballë çdo vështirësie.
Urimet e redaksisë
Redaksia e portalit “Plava e Gucia Sot” i uron prof. Zake Prevlukaj zgjedhjen dhe i dëshiron që sa më shpejt të bëhet edhe anëtare e rregullt e ASHAK-ut.
Urime dhe suksese të mëtejshme, Zakja e Martinajve të Plavë-Gucisë!
/Plava e Gucia Sot