Edhe këtë vit shkollor vazhdon e njëjta problematikë lidhur me transportin e nxënësve, kryesisht shqiptarë, nga fshatrat Vuthaj e Kukaj, të cilët ndjekin mësimin jashtë komunës së tyre – në shkollën e mesme të Plavës.
Edhe pse shkolla e mesme nuk hyn në kategorinë e arsimit të për, udhëtimi i këtyre nxënësve prej vitesh është një barrë e rëndë financiare për prindërit. Aktualisht pagesa për një nxënës arrin deri në 65 euro në muaj. Në disa raste, familjet kanë 2 ose 3 fëmijë në shkollë, gjë që e rrit ndjeshëm këtë barrë ekonomike.
Sipas rregullores së shkollës dhe Ministrisë së Arsimit, nëse distanca për në shkollë është mbi 5 km, atëherë transporti duhet të mbulohet nga Ministria ose nga komuna përkatëse. Kjo na shtyn të pyesim me të drejtë: a jemi ne banorë të dorës së dytë, që nuk na kushton kujdes askush? A mos vallë mendohet se prindërit tanë nuk kanë shpenzime të tjera?
Nga të dhënat jozyrtare, mësohet se komuniteti malazez e ka të rregulluar transportin nga Murina në Beranë, si dhe komuniteti boshnjak nga Gucia në Plavë. Pse atëherë nxënësit shqiptarë mbeten gjithmonë të lënë pas dore? A nuk kemi edhe ne të drejtë të kërkojmë shërbimet që na takojnë? Apo na konsiderojnë si “të pasur” dhe thonë: “le të paguajnë shqiptarët, se ata i kanë paratë”?
Prandaj, u bëjmë thirrje përfaqësuesve politikë shqiptarë në çdo nivel që të dalin në mbrojtje të interesave jetike të fëmijëve tanë. Të gjithë e dimë se boshatisja e këtyre trevave po merr përmasa shqetësuese. Për këtë arsye, duhet të përkrahim ata që kanë mbetur dhe jo t’ua rëndojmë edhe më shumë jetën.
/Plava e Gucia Sot