Presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për ftesën në Samitin për Demokraci, që pritet të mbahet në 9 dhe 10 dhjetor.
Osmani ka shkruar se për ftesën është njoftuar pas takimeve në Washington.
“Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në njoftimin e saj në Facebook.
Osmani deklaroi se është e lumtur që do t’i prezantojë të arriturat dhe sfidat e Kosovës “si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12-muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re në mënyrë që qytetarët tanë t`i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore”.
“Në emër të popullit amerikan, ju dërgoj urimet më të mira për ju dhe popullin e Republikës së Kosovës. Ne e njohim dhe vlerësojmë partneritetin tuaj në punën për ndërtimin e shoqërive demokratike dhe respektuese të të drejtave të njeriut që lejojnë zhvillimin e qytetarëve”, thuhet në letrën që presidenti Biden ia ka dërguar Osmanit.