Parlamenti Evropian votoi pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian votoi me shumicë votash rekomandimin e Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, gjatë prezantimit të rekomandimit tha se qytetarët e Kosovës e meritojnë votën pro, pasi institucionet e Kosovës i kanë përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ajo tha se sot votohet për mandatin e dialogut tripalësh mes Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit të Ministrave.

Pas këtij votimi të Parlamentit Evropian konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat në Parlament.

Ndërkaq, menjëherë pas votimi përmes një postimi në Twitter, Fajon tha se qytetarët e Kosovës janë edhe një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë.

“Përpjekjet vazhdojnë me qeveritë e vendeve të BE-së dhe nuk do të ndalem derisa të liberalizohen vizat”, ka shkruar Fajon.