Këshilli qendrorë i Partisë boshnjake, në mbledhjen e kryesuar nga nënkryetari Osman Nurkoviq, u ka propozuar këshilltarëve të vet në Kuvendin Komunal të Tuzit të mbështesin zgjedhjen e kandidatit të Forumit Shqiptar për Kryetar të Kuvendit komunal të Tuzit.
“Pas konstituimit të parlamentit lokal të Tuzit, Partia boshnjake pret vazhdimin e negociatave për formimin e koalicionit që do të përbëjë pushtetin në mandatin e ardhshëm. Gjithashtu, Këshilli qendrorë i PB vlerësoi se rezultati i fituar në zgjedhjet lokale është i shkëlqyeshëm dhe ofroi mbështetje të plotë Këshillit komunal të Tuzit në aktivitetet e mëtejshme, ” u tha nga kjo parti.
Në zgjedhjet e 3 marsit në Malësi, Partia boshnjake fitoi 961 votë dhe do të përfaqësohet me katër këshilltarë.
Rikujtojmë se nesër në Kuvendin e Tuzit do të zhvillohet mbledhja e parë në të cilën do të verifikohen 32 mandatet e fituara, si dhe do të zgjidhet Kryetari i Kuvendit.
Siç kanë paralajmëruar nga Forumi Shqiptar, kandidati për Kryetar të Kuvendit do të jenë Fadil Kajoshaj nga UDSH-ja. /MALESIA.ORG/