Nga Beqir Sina – New York City
Komuniteti shqiptar në Nju Jork ka dëshmuar qëndrueshmëri dhe kontribut të madh në sektorë të ndryshëm të jetës urbane, përfshirë pastrimin dhe mirëmbajtjen e ndërtesave. Përkundër sfidave personale dhe ekonomike, shumë shqiptarë kanë ndërtuar jetën e tyre në SHBA përmes punëve të ndershme, duke blerë shtëpi dhe hapur biznese që sot njihen gjerësisht në qytet.
Një nga shembujt më frymëzues të këtij komuniteti është Sebije Neloviç, një pastruese shqiptare që punon në një ndërtesë zyrash në 345 Park Avenue. Të hënën pasdite, ajo përjetoi një situatë të tmerrshme gjatë një sulmi të armatosur në vendin e saj të punës, por i shpëtoi vdekjes për mrekulli – falë besimit të saj të palëkundur në Zot.
65-vjeçarja nga Queens, e cila ka fituar vëmendjen e mediave amerikane dhe ndërkombëtare, rrëfeu përvojën e saj tronditëse: si u përball me atentatorin dhe si u fsheh për orë të tëra në një dollap, në përpjekje për të shpëtuar jetën.
Rrëfimi i saj u transmetua në rrjetet kryesore televizive si CNN, ABC, NBC, CBS, Fox News dhe u pasqyrua nga gazetat më të mëdha amerikane.
Sipas mediave, Sebije Neloviç i mbijetoi të shtënave që ndodhën në ndërtesën e zyrave në Midtown, ndërkohë që katër persona humbën jetën – përfshirë një oficer të NYPD-së që punonte si roje sigurie, një roje tjetër sigurie dhe dy gra që punonin në katin e sipërm.
Në një deklaratë përmes sindikatës së saj, Neloviç tha se ka punuar si pastruese në 345 Park Avenue për 27 vjet dhe se njihte pothuajse të gjithë në ndërtesë.
“Ai drejtoi armën drejt meje”
Sebije tregoi se kishte filluar turnin e saj rreth orës 16:30 dhe po mblidhte mbeturina në katin e 33-të, kur dëgjoi të shtëna.
“Dëgjova zhurma që në fillim m’u dukën si fishekzjarrë. Mendova se mund të ishte stafi teknik, sepse ndonjëherë krijojnë zhurma gjatë punës. Por këtë herë nuk kishte as të qeshura, as zëra. Vetëm zhurmë e frikshme që vazhdonte,” tha ajo.
Teksa dilte nga një zyrë për të vijuar punën në tjetrën, ajo vuri re se dera e xhamit e një zyre tjetër u trondit nga krisma të fuqishme.
Ajo pa një burrë të armatosur që doli nga ashensori dhe drejtoi armën drejt saj. “Ai filloi të shtinte rreth meje. Xhamat shpërthyen si breshër. Ngrita duart dhe thashë: ‘Unë jam pastruesja! Unë jam pastruesja!’ Por ai nuk u ndal. Ai po qëllonte pa dallim,” tha ajo.
“U fsheha në një dollap për orë të tëra”
Në panik, Sebije vrapoi nëpër korridor dhe u fsheh në një dollap aty afër. “Fillova të lutesha. Dëgjova britma. Dëgjova hapat e tij dhe pastaj një të shtënë drejt dollapit. U trondita. Por Zoti më mbrojti – plumbat nuk më prekën,” rrëfeu ajo.
Ajo qëndroi e mbyllur aty për orë të tëra, e tmerruar, ndërsa atentatori vazhdonte të shtinte në ndërtesë.
“Kur të shtënat pushuan, mendja më shkoi te Julia,” tha Sebije, duke përmendur kolegen e saj, Julia Hyman, e cila zakonisht punonte deri vonë dhe zyra e së cilës ndodhej në të njëjtin kat.
“U luta për të, e dija që ndodhej në tavolinën e saj. Edhe pasi krismat pushuan, zemra më rrihte fort dhe nuk ndaloja së luturi,” tha ajo.
Supervizori i saj nisi t’i dërgonte mesazhe. “I thashë që isha e fshehur në një dollap dhe ai më udhëzoi të qëndroja aty. E fikja telefonin që të mos dëgjoheshin zhurma,” kujton Sebije.
Ribashkimi me familjen pas tragjedisë
Pas ndërhyrjes së policisë, Sebije kërkoi të kthehej në shtëpi pa i shqetësuar të afërmit. “Kur arrita në shtëpi, djali im kishte parë lajmet dhe ishte i tmerruar. I thashë: ‘Jam gjallë, falë Zotit.’”
Pas kësaj, ajo ndoqi çdo detaj në media për të kuptuar çfarë kishte ndodhur dhe pse.
“Mund të kisha qenë unë”
Sebije mësoi më vonë se Julia Hyman, të cilën e përshkruan si një grua të mrekullueshme, ishte mes viktimave.
“Ajo ishte shumë e mirë. Sot ndihem gjithnjë e më e tronditur. Një grua u vra në katin tim. Mund të isha unë. Vetëm Zoti ma fali jetën,” tha ajo.
Neloviç shtoi se gjithmonë ishte kujdesur kur kthehej natën vonë me tren, por kurrë nuk ishte ndier në rrezik në vendin e saj të punës – deri tani. “Për 27 vjet puna më ka dhënë siguri dhe dinjitet. Tani gjithçka ka ndryshuar,” përfundoi ajo.
Julia Hyman u përcoll për në banesën e fundit të mërkurën, e pasuar nga oficeri i NYPD-së Didarul Islam dhe ekzekutivi i Blackstone, Wesley LePatner, të enjten. Detajet e funeralit për rojen Aland Etienne ende nuk janë bërë publike.
Policia konfirmoi se autori i sulmit vdiq nga një plagë që ia shkaktoi vetes me armë zjarri.