Përfaqësuesit e shqiptarëve u takuan me ambasadoren britanike në Mal të Zi Karen Maddox

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi, Nik Gjeloshaj, Fatmir Gjeka, Genci Nimanbegu dhe Nikollë Camaj u takuan sot me ambasadoren britanike në Mal të Zi, Karen Maddox. “Ata paraqitën qëndrimin e tyre mbi situatën aktuale politike në Mal të Zi dhe informuan Ambasadoren Maddox për mendimet e tyre për tejkalimin e kësaj situate të palakmueshme politike,” thuhet në deklaratën e përbashkët. Gjithashtu, siç thuhet në deklaratë, përfaqësuesit e shqiptarëve theksuan qëndrimin e përbashkët se Mali i Zi duhet të punojë edhe më shumë në përmirësimin e kursit evropian, fqinjësinë e mirë dhe respektit. “Gjatë takimit, ambasadorja tha se Mali i Zi duhet të vazhdojë integrimin e tij në BE dhe të forcojë më tej partneritetin e tij me NATO-n. Ajo gjithashtu përmendi se Mbretëria e Bashkuar mbështet përfshirjen demokratike të pakicave në Mal të Zi, e cila është brenda kornizës së vlerave evropiane,” thuhet në deklaratë.