Përkujtohet sot 555-vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Mësimi në çdo shkollë nis me himnin kombëtar

Më 17 janar shënohet përvjetori i 555 i vdekjes së heroit kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu heroit kombëtar të popullit shqiptar. Si çdo vjet, populli shqiptar përkujton Heroin Kombëtar, i cili ndërroi jetë më 17 janar të vitit 1468, në moshën 63-vjeçare.

Në shenjë nderimi, në të gjitha shkollat e vendit u këndua himni kombëtar. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama përmes një mesazhi në ‘Facebook’ tregoi vendimin se himni kombëtar do të këndohet në çdo shkollë, në krye të çdo jave të re mësimore.

“MIRËMËNGJES 🇦🇱

dhe me Himnin e Flamurit që këndohet nga të gjithë nxënësit e shkollave sot, në ditën e 555-Vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti SKËNDERBEUT, si edhe me vendimin që kështu do të këndohet himni në çdo shkollë, në krye të çdo jave të re mësimore, ju uroj një ditë të mbarë🙏”, shkruan Rama.

Gjergj Kastrioti ka hyrë në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet e asaj kohe. Kështu, për 25 vjet me radhë, Gjergj Kastrioti e ndaloi Perandorinë Osmane të depërtonte në zemër të Evropës, duke ruajtur e mbrojtur shqiptarët dhe vendlindjen nga sundimi i huaj.

Gjergj Kastrioti jo vetëm që mbrojti dhe shpëtoi popullin e vendlindjen, po me luftën e tij e pengoi, madje e ndaloi edhe ekspansionin osman drejt Evropës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Evropiane dhe të Papatit të Romës.

Ndër të tjera duhet përmendur se, me Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti vuri edhe themelet e një Shteti Arbër të organizuar.

https://fb.watch/i68wVcqhzN/?mibextid=v7YzmG