PËRVJETOR I DHIMBSHËM QË NUK DUHET HARRUAR

Masakra në Srebrenicë është krimi më i rëndë i luftës në Evropë i bërë pas Luftës së Dytë Botërore, prej korrikut të vitit 1995 gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë. Masakra është bërë me anë të vrasjeve masive të meshkujve dhe djemve të zënë rob të moshës prej 12 deri 77 vjeç, të realizuara sipas planeve të hartuara që më herët.

Gjenocidi ka ndodhur në qytetin e Srebrenicës dhe në rrethinën e saj dhe e kanë kryer Ushtria e Republikës Serbe nën komandën e gjeneralit Ratko Mlladiq dhe forcat paramilitare serbe “Skorpionët” të ndihmuar nga disa qindra vullnetarë rusë dhe grekë. Pas rënies së “zonës së mbrojtur të Srebrenicës” në duar të serbëve, prej datës 11 deri më 19 korrik aty janë masakruar qëllimisht në mënyra më makabre e çnjerëzore 8,723 robër lufte: burra, djem të mitur e pleq.

Gjenerali serb Ratko Mlladiq dhe disa nga oficerët e tij janë gjykuar për këtë masakër para Tribunalit të Hagës. Përkundër mohimit dhe kundërshtimit të Serbisë dhe të aleatëve të saj që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 23 maj të vitit 2024 e ka miratuar Rezolutën mbi Gjenocidin në Srebrenicë ndërsa data 11 korrik u propoziua për Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Viktimave të këtij gjenocidi.

Respekt dhe lavdi për martirët e Srebrenicës. Mos u harroftë dhe mos u përsëritë Srebrenica.

/Plava e Gucia Sot