PËRVJETORI I PUSHKATIMIT TË VUTHJANËVE, ÇUNG TAHIRIT DEDUSHAJ DHE ISUF ZYMERIT DEDUSHAJ

Sot, kur mbushen plot 73 vite nga koha kur dora barbare e regjimit kriminal titist e pushkatoi Çung Tahirin Dedushaj, bashkë me nipin e tij, Isuf Zymer Dedushaj, i përkujtojmë me krenari dhe nuk i harrojmë kurrë.

18 korriku i vitit 1951 ishte një ditë shumë e rëndë për fshatin Vuthaj, për tërë krahinën e Plavë-Gucisë, për të gjithë atdhedashësit shqiptarë. 

Njësitet e shumta ushtarako-policore të rregjimit jugosllav e rrethuan shtëpinë e kësaj familjeje atdhetare dhe i morën me dhunë Çungun dhe Isufin, duke i keqtrajtuar në mënyrat më çnjerëzore, vetëm e vetëm për të poshtëruar e cenuar dinjitetin e tyre dhetë të gjithë vuthjanëve. Te dy i pushkatuan pa Gjyq dhe pa Akt-Gjykim, në vendin e quajtur “Shtrejt”, në dalje të Vuthajve. 

Okupatori serbo-malazez nuk e ndali urrejtjen e tyre kundër shqiptare me këto dy vrasje barbare, po i arrestoi edhe te dy kushërinjtë e tyre: Ibër Hutin Dedushaj dhe Brahim Çalokun Dedushaj. Ata u dënuan me nga katër vite burg të rëndë dhe u dërguan për vuajtje të dënimit në burgun famëkeq të Goli Otokut. 

Edhe pse pushtuesit serbo-malazezë e kryen këtë akt makabër, barbar, ata nuk ia arritën që ta ndalin e ta shuajnë flakadanin e atdhetarisë së trungut të fisnikëve vuthjanë.

Nga trungu i Çung TahiritDedushaj dhe Isuf Zymerit  Dedushaj, u ngrit një lozë e tërë genetike e fuqishme e diturisë dhe e njerëzve të aftë e të suksesshëm, pasardhës të tyre dinjitarë, kontributorë, shembëlltarë. Sot kemi shumë doktorë shkencash, shumë magjistra dhe intelektualë të profileve të ndryshme, që nga Prishtina, Tirana, New Yorku e madje deri edhe në Japoninë e largët. Këta pasardhës genetikë, me krenari të lartë, me angazhime e përkushtime të mëdha, e vazhdojnë misionin e paraardhësve të tyre, në shërbim të Kombit, në fusha te dijes dhe të zhvillimit bashkëkohor, në të gjithakohërat, në të gjithë brezat e tyre.

Po ashtu, pasardhësit e këtyre dy Martirëve të Kombit, duke mos i harruar ata dhe veprën e tyre, e kanë ngritur një lapidar në vendin e ekzekutimit të tyre tragjik, i cili mbartë një mesazh të qartë për armiqësinë e atyre që kurrë nuk ua deshtën të mirën shqiptarëve etnikë. 

Për të nderuar veprën dhe jetën e Çung Tahirit Dedushaj dhe Isuf Zymerit Dedushaj, institucionet e Republikës së Kosovës, në komunën e Pejës, kanë bërë edhe emërtimin e dy rrugëve me emrat e këtyredy martirëve, bashkëvendësve tanë, për çka iu jemi shumë mirënjohës. 

I përjetshëm qoftë kujtimi për Çung Tahirin  Dedushaj dhe për Isuf Zymerin Dedushaj! 

Vuthajt, Plava dhe Gucia, gjithnjë, gjithmonë, në të gjitha motmotet, do t’i përkujtojnë me krenari e mirënjohje sakrificën e Familjes Dedushaj. 

Vendi i pushkatimit të tyre, që rastësia e deshi të jetë vendi i quajtur “Shtrejt i Vuthajve”, sikur mbartën një mesazh të natyrës së Alpeve tona se gjaku i Çungut dhe i Isufit është i shtrenjtë dhe nuk do të harrohet kurrë nga të gjithë ne, në jetë të jetëve, brez pas brezi.

Lavdi emrit, jetës, veprimtarisë e kujtimit të tyre! 

Esad GJONBALAJ

New York-Vuthaj, 18 korrik 2024