Plava dhe Gucia në mesin e 13 komunave në të cilat nuk është shënuar rast i koronavirusit

Plavë/Guci – Sipas deklaratës së Institutit publik të shëndetësisë të publikuar në konferencën për media të premten më 3 prill 2020 në ora 9, në Mal të Zi nga koronavirusi – Covid-19, janë sëmurë 160 persona (16 më shumë se një ditë më parë). Të sëmurë (infektuar) më së shumti janë në Podgoricë – 73, në Tuz – 34, Tivarë – 12, Ulqin – 9, Andrijevicë – 7, Bijello Pole – 6, Budvë – 4, Herceg Novi – 5, Nikshiq – 5, Tivat – 2 dhe Danillovgrad – 3 persona.

Të sëmurë (prekur) nga koronavirusi për tani nuk ka në 13 komuna të Malit të Zi (të gjitha në pjesën veriore të saj) në mesin e të cilave janë edhe komunat e Plavës dhe Gucisë. Virusi Covid-19, ende nuk është regjistruar në komunat: Plevla, Beran, Cetinjë, Kollashin, Kotorr, Mojkovac, Petnjicë, Plluzhinë, Rozhajë, Shavnik dhe Zhablak.

Organet kompetente shtetërore janë duke zbatuar një sërë masash për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Njëra ndër ato të fundit është ndalesa e daljes nga shtëpia prej orës 19 deri në ora 5 në mëngjes, gjatë ditëve të punës (prej të hënës deri të premten) dhe prej orës 13 deri të nesërmen në ora 5 ditëve të vikendit (të shtunën dhe të dielën). Nëpunësit e Shërbimit policor rregullisht bëjnë kontrollimin e zbatimit të këtyre masave.

Organet kompetente lokale dhe qendrore u bëjnë apel qytetarëve të jenë maksimalisht të përgjegjshëm dhe të disiplinuar në zbatimin e masave dhe rekomandimeve, me qëllim të pengimit dhe efikasitetit sa më të mirë dhe të suksesshëm në përballje me koronavirusin.

Shaban Hasangjekaj

/Plava e Gucia Sot