Policia malazeze e ka arrestuar në orët e para të së dielës Erblin Rrustemajn, një 30-vjeçar nga Kosova i cili dyshohet se e theri me thikë policin Miradin Paljeviq në Ulqin.
Siç shkruan mediumi malazez, Vijesti, prokurori ka caktuar masën e ndalimit prej 72-orësh për kosovarin.
Ai, siç dyshohet, e ka goditur me thikë politin në kofshën e këmbës së djathtë. Ngjarja ndodhi para lokalit “H20”, në sheshin Malja të Ulqinit.
“Ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor”, shkruhet në raportin e policisë.
I dyshuari është arratisur pasi e plagosi policin jashtë detyrës, por u gjet dhe arrestua disa orë më vonë.
Në vendimin për ndalimin e kosovarit, përmendet arratisja dhe fakti se ai nuk ka vendbanim të përhershëm në Ulqin. Kështu, policia malazezse konsideroi se ka rrezik që ai të arratiset në rast se do të lihej i lirë.