Prej të hënën në Mal të Zi lejohet puna e institucioneve shëndetësore, hyrja në objektet fetare, qarkullimi rajonal (ndërkomunal i komunikacionit)

Për faqen e Portalit “Plava e Gucia Sot”

Shaban Hasangjekaj

Përfaqësuesit e Trupit nacional koordinues për sëmundje infektive, ministri i Shëndetësisë, dr. Kenan Hrapoviq, shefja (menaxhuesja) e Shtabit operativ të TNK-së, prof. dr. Vesna Miranoviq dhe ndihmës drejtori i Institutit për shëndetin publik, dr. Senad Begiq, në konferencën e rregullt për media, në elaborimet e veta kanë dhënë një vistër të dhënash shumëpërfshirëse analitike e koncize lidhur me lehtësimin e ca masave të përkohshme më parë të prura për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, për zbutjen e të cilave Trupi nacional koordinues në mbledhjen e vet të fundit pas shqyrtimit të gjendjes dhe situatës epidemiologjike i ka prurë dhe miratuar, të cilat padyshim do të ndikojnë në normalizimin sa më të shpejt të jetës së popullatës në Mal të Zi, e pastaj në pyetjet e gazetarëve të pranishëm janë përgjigjur drejtpërdrejtë.

Ministri i Shëndetësisë, dr. Kenan Hrapoviq, në deklaratën e vet ka konfirmuar se duke pasur parasysh gjendjen epidemiologjike të volitshme, të mirë, stabile dhe nën kontroll të plotë, TNK në mbledhjen e vet të mbajtur dje, ndër të tjera ka prurë dhe miratuar vendimin që prej të hënën, më 11 maj, lejohet normalizimi i punës së institucioneve shëndetësore me qëllim që në Qendrën klinike të Malit të Zi, në spitalet e përgjithshme dhe ato speciale, si dhe në të gjitha institucionet në rrjetin shëndetësor të sigurohet mundësia graduale e vizitave dhe kontrollave të zakonshme, të rregullta dhe speciale për të gjithë pacientët.

Shefja (menaxhuesja) e Shtabit operativ të TNK-së, prof. dr. Vesna Miranoviq, elaborimin e vet konciz e kronologjik ia ka kushtuar gjendjes epidemiologjike dhe punës së institucioneve shëndetësore speciale në Mal të Zi me përkushtim të veçantë në strehimoret e pleqve në Qendrat speciale për fëmijë dhe të rritur me aftësi të veçanta, duke dhënë një sërë këshillash, udhëzimesh e sugjerimesh për rehabilitimin dhe trajtimin e tyre të posaçëm.

Ndihmës drejtori i ISHP-së, dr. Senad Begiq, në kumtesën e vet analitike të pranishmit i ka njoftuar me të dhënat statistikore mbi gjendjen momentale epidemiologjike duke theksuar me kënaqësi dhe optimizëm se gjatë disa ditëve të fundit nuk ka raste të reja me koronavirus dhe se numri i të shëruarve është në rritje graduale e ai i të infektuarve aktiv gjithnjë e më i vogël. Në vazhdim të pranishmit i ka njoftuar se me vendimin e TNK-së, prej të hënën më 11 maj është i lejueshëm komunikacioni rajonal (ndërkomunal) në Mal të Zi, i realizueshëm në tri rajone: Në rajonin bregdetar në të cilin komunikacioni automjete personale dhe ai i transportit publik të udhëtarëve është i lirë ndër qytetet: HN, KO, TV, BD, BR dhe UL + CT, në rajonin qendror: PG, DG, TZ, CT, NK, ŠN dhe PŽ dhe në rajonin verior: PV, ŽB, BP, BA, MK, KL, PL, RO, AN, PT dhe GS, por duke i respektuar masat dhe rekomandimet e parapara.

Dr. Begiq të pranishmit po ashtu i ka njoftuar se me vendimin e TNK-së, prej të hënën më 11 maj, lejohet shkuarja, gjegjësisht hyrja në objektet e kultit (fetar) kisha dhe xhamia, por gjithsesi duke respektuar masat dhe rekomandimet e parapara, bartja e maskës, distanca fizike brenda dhe jashtë objektit, etj.

Konstatimin e TNK-së se gjendja epidemiologjike në Mal të Zi është vërtetë e volitshme, stabile dhe nën kontroll dhe me mbarëvajtje drejt normalizimit të jetës, në një masë e dëshmojnë edhe të dhënat e fundit të Institutit për shëndetit publik të cilat tregojnë se në 148 mostrat e testuara në kohën prej 08:30 e deri në atë 16:45 në laboratorët e mikrobiologjisë molekulare, nuk është regjistruar asnjë rast i ri pozitiv në koronavirus, dhe se numri total i të infektuarve prej fillimit e deri më tani ka mbetur i pandryshuar 324, prej të cilëve 59 janë fëmijë dhe të rinj të moshave 0-19 vjeçare, se numri i të shëruarve është në rritje të vazhdueshme. Në dy testimet e njëpasnjëshme të fundit, një person ka rezultuar negativ në koronavirus dhe është shpallur i shëruar. Personi është nga Podgorica, ashtu që numri total i të shëruarve ka arritur në 267, kurse ai i të infektuarve momental aktiv ka rënë në 49, numri i të vdekurve është 8, kurse nën mbikëqyrje janë momentalisht 1134 qytetarë.

Pasqyrëza e të prekurve me virusin Covid-19 nëpër komuna:

Podgoricë-164,

Tuz-37,

Nikshiq-34,

Tivarë-23,

Ulqin-23,

Andrijevicë-7,

Budva-7,

Plavë-7,

Bijello Pole-7,

Herceg Novi-6,

Danillovgrad-3,

Tivat-3 dhe

Guci-3.

Në shtetet e rajonit situata epidemiologjike në 24 orët e fundit sipas të dhënave të instituteve të tyre të shëndetit publik ka këta parametra:

– Në Shqipëri: 856 të infektuar, 627 të shëruar dhe 31 të vdekur;

– Në Kosovë: 862 të infektuar, 622 të shëruar dhe 28 të vdekur;

– Në Serbi: 9943 të infektuar, 2453 të shëruar dhe 209 të vdekur;

– Në Kroaci: 2161 të infektuar, 1689 të shëruar dhe 86 të vdekur;

– Në Bosnje e Hercegovinë: 2090 të infektuar, 1059 të shëruar dhe 102 të vdekur;

– Në Slloveni: 1454 të infektuar, 255 të shëruar dhe 101 të vdekur dhe

– Në Maqedoninë e Veriut: 1586 të infektuar, 1099 të shëruar dhe 90 të vdekur.