Prej të premtes kriteriume të reja për hapjen e kufijve

Politika e hapjes së kufijve do të plotësohet me kriteriume të reja të cila do ti propozojë Instituti për Shëndetin Publik me qëllim që të mundësohet hyrja në Mal të Zi e nënshtetasve të huaj të cilët nuk bartin rrezik të lartë epidemiologjik, është vendosur në Trupin Koordinues Nacional për sëmundjet ngjitëse.

Siç është kumtuar nga Qeveria, shkruan rtcg, ky Trup masat e reja do ti miratojë ditën e premte. Theksohet se Trupi Koordinues Nacional në mbledhjen e mbrëmshme ka vërtetuar orientimin strategjik për vazhdimin e zbatimit të politikës së hapjes së shtetit përmes ruajtjes së situatës stabile epidemiologjike dhe paralelisht të ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, të nënshtetasve të huaj që jetojnë në Mal të Zi dhe të turistëve .

Laboratorët e Institutit për Shëndetin Publik gjatë 24 orëve të fundit kanë bërë analizën e 34 mostrave në koronavirus, në mesin e të cilave një rast ka rezultuar pozitiv. Siç është kumtuar nga Instituti, i prekuri është nga Budva dhe disa ditë para paraqitjes së simptomave ka qëndruar në Bosnjë Hercegovinë. Nga fillimi i pandemisë së virusit korona në Mal të Zi e deri tani gjithsejtë janë të infektuar 326 persona.