Sot, më 29 shtator 2025, në Shtëpinë e Kulturës në Martinaj (ora 11:30) dhe në Shtëpinë e Kulturës në Vuthaj (ora 12:30), përfaqësuesit e projektit “Gora”, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë së Malit të Zi, zhvilluan prezantimin e programit para një numri fermerësh të këtyre fshatrave.
Ky projekt ka për qëllim mbështetjen e fermerëve të vegjël, kryesisht atyre që posedojnë 1–3 krerë lopë. Për herë të parë këtë vit, Komuna e Gucisë është bërë anëtare e projektit “Gora”.
Projekti “Gora” financon dhe nxit zhvillimin e bujqësisë në zonat rurale. Sot para fermerëve të Martinajve dhe Vuthajve u prezantua Komponenta 1, e cila përfshin:
- Furnizimin me makineri bujqësore,
- Blerjen e bagëtive (dele, dhi, lopë).
Buxheti i kësaj komponente parashikon subvencione deri në 50% të shumës së përcaktuar nga projekti.
Kushtet e hollësishme, buxheti i plotë, afatet e aplikimit dhe kriteret do të publikohen në thirrjen direkte që pritet të shpallet deri më 15 tetor 2025. Një nga përparësitë kryesore të këtij programi është fakti se mund të aplikojnë edhe fermerët që ende nuk janë të regjistruar pranë Ministrisë së Bujqësisë.
➡️ Thirrje për fermerët
Me këtë rast, u bëj thirrje të gjithë fermerëve që nuk janë të regjistruar, të regjistrohen pranë Ministrisë së Bujqësisë, pasi vetëm fermerët e regjistruar kanë të drejtë të aplikojnë për subvencione dhe grante në projekte të volitshme si: IFAD, IPARD dhe thirrjet direkte të Agrobuxhetit.
✍️ Sefe Dedushaj
Këshilltar për Bujqësi në Komunën e Gucisë
/Plava e Gucia Sot
