Akademik FEHMI AGANI 1932 – 1999.PhD.
Doktor i shkencave të sociologjisë
E ëmbël dhe fisnike është të vdesësh për atdhe ( Horaci)
Është i madh ai popull, që ka nxjerr njerëz të mëdhenj ( Dyamel)
Sociolog, doktor i shkencave, profesor, politikolog, atdhetar, akademik. Akademik prof. dr. Fehmi Agani lindi në Gjakovë më 1932. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prishtinë. Fakultetin Filozofik e kreu në Beograd më 1959, kurse studimet pasuniversitare i mbaroi në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, ku magjistroi në dhjetor të vitit 1965 me temën: (“Forma dhe shkalla e vetëvendosjes së punëtorëve të Gjermanisë perëndimore në qeverisjen e reparteve dhe ndërmarrjeve”) dhe mori gradën e magjistrit të shkencave politike.
Mr.Fehmi Agani u doktorua në Fakultetin Filozofik në Prishtinë në maj të vitit 1973 me temën: ”Partitë dhe grupet politike në Shqipëri gjatë luftës së dytë botërore”. Dr Fehmi Agani që nga viti 1965, ishte ligjërues i sociologjisë në Fakultetin Filozofik dhe kishte titullin e profesorit ordinar. Dr Fehmi Agani ka botuar 6 tekste shkollore. Në vitin 1994 Dr.Fehmi Agani u zgjodh anëtar korrespondent i ASHA të Kosovës. Prej vitit 1989 u mor intensivisht më luftë politike për lirinë e popullit shqiptar nga zgjedha serbe.
U vra nga dora kriminale serbe më 06 maj të vitit 1999 në afërsi të Lypjanit ditën e Shëngjergjit, kur kremtohej fundi i dimrit të zi dhe i ditëve të vështira për ekzistencë shkruan Akademik E. Murtezai për mikun e jetës. Populli shqiptar mbet pa njeriun e urtë, të qetë, intelektualin e shquar dhe luftëtarin e pa kompromis të lirisë dhe pavarësisë.
Do theksoja A. Brian “ Ka një të drejtë mbi të gjitha të drejtat e tjera, kjo është e drejta për një kolektiv kombëtar që të rrojë në pavarësinë e vet dhe me krenarinë e vet” kjo pa dyshim ka qenë edhe motoja e të ndriturit, shkencëtarit, politikologut, humanistit, atdhetarit të devotshëm dhe humanistit – Ante, Prof. Fehmi Agani. Zoti Agani ishte pedagog i disa gjeneratave të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë dhe Ne si student dhe si mjek mendojmë se profesor Agani nuk u lind për veten e tij, por u lind për atdheun dhe shumë gjenerata që ai i edukoi. Dhe për fund do citoja Rena-nin kur thotë:” Një atdhe përbëhet nga të vdekurit, që e kanë themeluar dhe nga të gjallët që e vazhdojnë“ Prof. dr. Fehmi Agani ishte edhe, njëri nga themeluesit e LDK-së, për shumë vjet njëri nga nënkryetarët e LDK-së. Dr. Agani, dijetar e profesor i njohur për më shumë se 30 vjet, ishte në vitet nëntëdhjetë njeriu i dytë i LDK-së, bashkëpunëtor i ngushtë i Dr. Ibrahim Rugovës. I njohur si negociator i shkathët në bisedat me palën serbo/jugosllave dhe në Konferencën e Rambujesë. U zgjodh deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës në zgjedhjet e vitit 1998.
Literatura:
Prof. dr. Isuf Dedushaj: “ Enciklopedia e doktorëve të shkencave të mjekësisë shqiptare gjithandej globit (1445-2019), dhe mjekëve që lanë gjurmë të pashlyera në historinë e mjekësisë shqiptare, OMK.,Prishtinë 2019.
Pjesë nga Kapitulli VI Biografitë e profesorëve të FSHMN që dhanë mësim në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë nga kjo Enciklopedi.