Profesionist me vizion të gjerë shkencor

Fshati Vuthaj i Komunës së Gucisë, dikur ishte njëri ndër vendbanimet më të mëdha në Komunën e Plavës. Aso kohe, numëronte mbi 200 familje me mbi 1200 banorë tërësisht të popullatës shqiptare. Është fshat piktoresk përballë Alpeve të thepisura shqiptare, e rrëzë bjeshkëve të larta me pyje e kreshta: Bjeliçit, Ropojanit e Zastanit, me pozitë kodrinore, me bukuri e atraksione të rralla natyrore (kanione, ujëvara, lugina, bregore e shpella), të cilat janë motiv i joshjes së shumë vizitorëve nga komuna, por edhe e turistëve mysafirë anekënd botës, të cilët fitojnë përshtypjen se kanë të bëjnë me një trevë atraksionesh e bukurish që ka krijuar natyra, e të cilat rrallë kund mund t’i gjeni si Ujëvara Gerla, Syri i kaltër (i Skavkaçit), Krojet e Ali Pashë Gucisë, etj.
Pos objektit të Shkollës fillore katërklasëshe, atij të Shtëpisë së kulturës dhe një vistër shtëpizash për destinacione turistike, ka edhe Muzeun etnografik të hapur para ca vitesh.

Shaban Hasangjekaj


Por gjithsesi, fshati Vuthaj më tepër veçohet, njihet dhe përmendet si vatër e paepur e shumë ngjarjeve dhe ndodhive historike, por edhe të trashëgimisë etno- kulturore dhe të identitetit kombëtar. Mirëpo, ajo që më së shumti e karakterizon dhe e bën të zëshëm dhe më të theksuar, është e dhëna se fshati Vuthaj është truall burimi i një numri shumë të madh intelektualësh profilesh të ndryshme profesionale, të cilët kontributin e vet e shprehin në komunat e Plavës dhe Gucisë, në Kosovë e Shqipëri, por edhe anekënd botës. Njëri ndër ta është edhe doktori i Shkencave të mjekësisë, epidemiologu prof. dr. Isuf Dedushaj, jeta dhe veprimtaria profesionale e të cilit është mjaft e bujshme.
Lindi në fshatin Vuthaj, më 10 tetor të vitit 1951, katër muaj pas vdekjes së babait të tij, emrin e të cilit e mban ai (Isuf Isufi). Shkollën fillore tetëvjeçare e vijoi dhe e kreu në Vuthaj (katër klasët e ciklit të ulët) dhe në Guci, në Shkollën fillore “Xhafer Nikoçeviq” (katër klasët e ciklit të lartë).
Edhe pse në kushte të vështira ekonomiko- sociale – jetim pa njërin prind, ia doli që ta regjistrojë dhe në afat të rregullt me sukses të shkëlqyer ta kryej Gjimnazin “11 Maji” të Pejës. Në vitin vijues shkollor, arrin që ta regjistrojë Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, të cilin me sukses të lartë e përfundon në vitin 1976.
Si mjek fillestar i praktikës së përgjithshme, fill pas përfundimit të fakultetit, punësohet në Shtëpinë e shëndetit në Drenas, ish Gllogoc, ku me përkushtim të plotë “me mish e shpirt”, siç thotë populli, jep kontributin e vet maksimal në ofrimin e ndihmave mjekësore duke punuar ditë e natë, thuajse pa orar të caktuar pune.
Pas ca muajve të kaluar me punë në Shtëpinë e sipërpërmendur shëndetësore, nevoja e ka kërkuar që të kalojë me punë në Entin Krahinor për mbrojtje shëndetësore, ku zgjidhet bashkëpunëtor për lëndën Mjekësi sociale.
Në ndërkohë, me rastin e zgjedhjes së degës së specializimit, mjeku i diplomuar, Isuf Dedushaj, si ish student i dalluar i mjekësisë, nga stafi drejtues i institucionit ku punonte kishte oferta, por edhe sugjerime, që specializimin ta bënte në degën e pediatrisë apo të gjinekologjisë, por ai, prej kohës kur punonte në Shtëpinë e shëndetit në Drenas, ku pati rast të ballafaqohet me shumë raste infektive e virusale të popullatës së atij vendi, vendosi që për specializim ta merr degën e epidemiologjisë me qëllim që popullatës t’i sjellë ndihmë profesionale në luftimin e viruseve të ndryshme me të cilat përballoheshin.
Specializimin nga Epidemiologjia e përfundon më 20 maj të vitit 1980, kur edhe bëhet epidemiologu i parë shqiptar i Kosovës. Studimet pasuniversitare i mbaroi në Fakultetin e Mjekësisë në Sarajevë, ku dhe magjistroi në nëntor të vitit 1983. Në këtë vit zgjidhet ligjërues i Fakultetit të Mjekësisë. Tri vite më vonë, më 27 nëntor 1986, epidemiologu dr. Isuf Dedushaj, në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, mbron tezën e disertacionit të doktoratës dhe fiton gradën Doktor i shkencave të mjekësisë – Epidemiolog.
Në periudhën kohore 1986-1987, pranë Universitetit të Zagrebit, përfundon subspecializimin nga Imunologjia.
Si mësimdhënës në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, prej vitit 1976 fiton gradën Profesor ordinar i Epidemiologjisë.
Epidemiologu dr. Isuf Dedushaj, në Entin për Mbrojtjen Shëndetësore, punoi në periudhën kohore 1976-1990, kur për shkaqe etnike dhe politike, largohet me dhunë nga puna.
Përveç detyrës së ligjëruesit, epidemiologu prof. dr. Isuf Dedushaj, në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ka ushtruar edhe detyrën e prodekanit në dy mandate, në periudhën kohore 1992-1996.
Prof. dr. Isuf Dedushaj ka ushtruar dhe kryer funksione dhe detyra të rëndësishme edhe në institucione të tjera sociale-shëndetësore. Në periudhën kohore 1992-2001, ka qenë kryetar i Kryqit të Kuq të Kosovës. Ka qenë anëtar i Kryesisë së Forumit të intelektualëve të Kosovës, në detyrën e përgjegjësit për sektorin e shëndetësisë, si dhe anëtar i Redaksisë së Revistës shkencore “Praxis Medica” të Kosovës.
Aktivitetin e punës së vet profesionale, prof. dr. Isuf Dedushaj e ka demonstruar në rolin e mentorit, respektivisht të komisionarit për mbrojtjen e temave të disertacioneve të doktoratës të 38 kandidatëve, prej të cilëve dy jashtë Kosovës, pastaj të 45 magjistraturave shkencore dhe 100 mjekë i ka udhëhequr në specializime të lëndëve të preventivës (Epidemiologji, Higjienë, Mjekësi sociale, Mjekësi e punës dhe Mjekësi e përgjithshme).
Aktivitetin e vet profesional, epidemiologu prof. dr. Isuf Dedushaj, e ka shprehur edhe përmes publikimeve shkencore. Ka publikuar 112 punime shkencore në gazeta dhe revista të Kosovës dhe jashtë saj. Ka qenë redaktor përgjegjës i revistës “Shëndeti” për 10 vjet me radhë. Ka kryer detyrën e drejtorit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka kryer detyrën e kryetarit të asociacionit të Shëndetësisë Publike të Kosovës, si dhe ka qenë dekan i Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.
Prof. dr. Isuf Dedushaj, është edhe autor i gjashtë teksteve universitare: 1. Vaksinimi kundër sëmundjeve ngjitëse (1994), 2. Epidemiologjia, parimet dhe praktika (1997), 3. AIDS – SIDA, sëmundje që vret (1998), 4. Imunoprofilaksia (2002), 5. Epidemiologjia sociale e sëmundjeve ngjitëse (2005), dhe 6. Enciklopedi e doktorëve të Shkencës së mjekësisë shqiptare gjithandej globit (2019).
Në fund, pa mëdyshje mund të konstatohet se prof. dr. Isuf Dedushaj vërtetë është profesionist me vizion të gjerë shkencor, i cili edhe pse në pension, është duke dhënë kontribut të dukshëm në luftën e pakompromis kundër armikut të padukshëm shëndetësor – pandemisë Covid-19. Drejtpërdrejt apo në distancë, falë përvojës së vet më se dyzetvjeçare është duke ndihmuar, mbështetur dhe përkrahur ish kolegët e vet në ballafaqim në parandalimin e përhapjes së virusit vdekjeprurës, si dhe në zbutjen e pasojave nga ai.
Prof. dr. Isuf Dedushaj është në pension dhe jeton në Prishtinë, por kohë pas kohe me kënaqësi e viziton edhe vendlindjen e vet – fshatin Vuthaj, të cilin e donë shumë, duke i përkujtuar ditët e kamotshme të fëmijërisë dhe rinisë së hershme të përcjellura me batica dhe zbatica të ndryshme.