Herkulesi nga Gucia

Karriera e marrjes së tij me disiplinën sportive bodybuilding është mjaft e pasur dhe e suksesshme. Ka arritur rezultate të rëndësishme me pjesëmarrje në gara shtetërore dhe ndërkombëtare në vitet ‘70 dhe ‘80 të shekullit të kaluar. Herkulesi gucian Rafet Kolenoviq ka fituar një mori mirënjohjesh në Slloveni, Australi e Amerikë

Në të kaluarën e largët – në kohën e ish-Jugosllavisë, por edhe në atë të afërt, në kohën e sistemin pluralist, treva e Plavës dhe Gucisë ka dhënë një numër të konsiderueshëm personalitetesh, të cilët kanë bërë emër dhe janë në zë në fusha dhe disiplina të ndryshme sportive, kush më pak e kush më shumë. Një ndër ta është Rafet Kolenoviq nga fshati Kolinë i Komunës së Gucisë, i cili në kohën e ish-Jugosllavisë ka shënuar një vistër suksesesh në gjimnastikë e bodybuilding, të cilin për shkak të konstruksionit dhe dukjes së tij të jashtme trupore dhe fuqisë së jashtëzakonshme, e kanë quajtur “Herkulesi gucian”! Por, mjerisht për të pak kush din.


Ai ka lindur në vitin 1954 në vendbanimin Kolinë të Gucisë, i cili qysh në moshën e hershme fëmijërore ka treguar talent dhe prirje për gjimnastikë, me të cilën është marrë intensivisht qysh si nxënës i Shkollës Fillore “Xhafer Nikoçeviq” të Gucisë, kur dhe ka marrë pjesë në gara të ndryshme komunale e rajonale, e suksesi i tij është kurorëzuar me titullin Kampion i Malit të Zi.
Pasi që me familje në rininë e hershme shpërngulet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si djaloshar korpulent fillon të merret profesionalisht me bodybuilding.
Karriera e marrjes së tij me këtë disiplinë sportive është mjaft e pasur dhe e suksesshme. Ka arritur rezultate të rëndësishme me pjesëmarrje në gara shtetërore dhe ndërkombëtare në vitet ‘70 dhe ‘80 të shekullit të kaluar.
Herkulesi gucian Rafet Kolenoviq ka fituar një mori mirënjohjesh në Slloveni, Australi e Amerikë, ndër të cilat veçohen sidomos rezultatet e tij impozante me pjesëmarrje në garat: në vitin 1975 në Pro Mr America – WBBG, vendi i parë për të rinjtë; Universe – Pro – PBBA, vendi i tretë; në vitin 1979 në garat Universe – Pro – IFBB, vendi i shtatë; World Pro Championships – IFBB, vendi i shtatë; dhe në vitin 1982 në garat Natural Mr America – NBA, Kategoria e mesme, vendi i pestë; Natural Universe – NBA, Kategoria e mesme, vendi i pestë.


Kolenoviq me familje jeton dhe punon në SHBA, por kohë pas kohe vjen në vendlindje ku në muajt e verës e kalon një pjesë të pushimit vjetor.

Shaban Hasangjekaj