Pushoi së rrahuri zemra kreshnike e patriotit të madh, Rexhep Gali Balidemaj

19.12.1922 – 08.06.2025

Sot, në orët e hershme të mëngjesit në New York, pushoi së rrahuri zemra e një burri të madh të kombit.

 Sot, Martinajt humbën birin e tyre të shtrenjtë. Sot, Plava e Gucia, toka e historisë, krenarisë dhe lavdisë, ndien dhimbjen e madhe për ndarjen nga jeta të kolosit të atdhetarisë. Sot, mbarë kombi shqiptar humbi një nga bijtë e vet më të çmuar, i cili gjithë jetën ia kushtoi pa kursim kauzës së shenjtë kombëtare.

Sot, çdo atdhetar është thellësisht i tronditur për ndarjen nga jeta të një frymëzuesi të madh, një legjende të gjallë dhe një enciklopedie të vërtetë, që historia e njeh me emrin e ndritur të gravuar në gurët e përjetësisë: Rexhep Gali Balidemaj.

E mbi të gjitha, familja e tij humbi më të dashurin e tyre — që për ta ishte dhe do të mbetet një thesar krenarie e mburrjeje për jetën dhe veprën e tij.

Jeta e tij i ngjan një skenari të jashtëzakonshëm filmik, përplot krenari, sakrifica e përkushtim. Që në moshë të re, u rreshtua në anën e nderit, në radhët e atyre që jetën e kishin sinonim të luftës për kauzen kombetare e per atdheun. Ishte luftëtar i lirisë, pilot i aviacionit luftarak në vitin 1946, kundërshtar i rreptë i çdo përpjekjeje për të përbuzur e poshtëruar kombin shqiptar. Idealet e tij ishin të pandalshme dhe frymëzuese për brezat që vinin pas. Per idealet e veta Rexhepi pagoi çmimin e shtrenjte duke qene i persekutuar dhe duke vuajtur denimet shumevjeçare me burg ne Goli Otokun famkeq e ne kazamatet e tjere te regjimit serbosllave pëplotë 16 vite.

Pusho në paqe, në lavdinë që e meriton, patrioti i madh i kombit tonë, Rexhep Gali Balidemaj.Veprat tua le te jenë fanar per gjeneratat e ardhsme te shqiptareve.Lavdi perjete!

Esad Gjonbalaj

/ Plava e Gucia Sot