Instituti i Shëndetit Publik, ka bërë me dije se në 213 mostrat e testuara gjatë 24 orëve të fundit në Mal të Zi, 19 sosh kanë rezultuar pozitiv në koronavirusin Covid-19.
Në 109 testimet e bëra në intervalin kohor 08:45-17:45 (dje, më 6 prill), rezultat pozitiv në koronavirus kanë rezultuar 10 sosh: 8 në Nikshiq dhe 2 në Podgoricë, dhe në testimet e bëra në 104 mostra, në intervalin Kohor 17:45-8:45, rezultat pozitiv kanë treguar 6 raste: 3 në Podgoricë, 2 në Nikshiq dhe 1 në Tivarë.
Kështu, numri i të infektuarve në Mal të Zi nga pandemia Covid-19, prej rastit të parë e deri më sot, është 239. Të gjitha rastet e reja, janë kontakte të rasteve të njohura.
Gjendja e rasteve të infektuara me pandeminë Covid-19 në 11 komunat e Malit të Zi është:
Podgoricë-118,
Tuz-34,
Nikshiq-30,
Tivarë-20,
Ulqin-9,
Andrijevicë-7,
Bijello Pole-6,
Herceg Novi-6,
Budva-4,
Danillovgrad-3 dhe
Tivat-2.
Trupi nacional koordinues në deklaratën për media dhe opinion ka konfirmuar se 37 të sëmurë nga koronavirusi janë të hospitalizuar në spitale, 2 të sëmurë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore janë vënë nën kujdesin intensiv të lidhur me respirator. Nga pasojat e koronavirusit, dy të sëmurë kanë vdekur dhe një është shëruar.
Trupi nacional koordinues, po ashtu ka bërë me dije se në Mal të Zi, 20 punëtorë të profileve të ndryshme shëndetësore janë të infektuar nga koronavirusi dhe të gjithë gjenden në izolim. Ata gjithashtu kanë njoftuar se dje (më 6 prill) në Maternitetin (Repartin e lindjes) të Spitalit privat “Kodra” në Podgoricë, lehona e infektuar nga koronavirusi i ri ka lindur foshnjën e gjinisë mashkullore të cilës menjëherë i është bërë testimi i parë në koronavirus. Nëna e fëmiut është vënë në izolim.
Drejtoria e policisë së Malit të Zi, mediat i ka njoftuar se në territorin e Malit të Zi, organet e Shërbimit policor i kanë marrë në proces 436 persona të cilët me qëndrimet e veta nuk i kanë respektuar masat dhe urdhëresat e prura të Institutit të Shëndetit Publik, të Trupit nacional koordinues, të Ministrisë së shëndetësisë dhe të Drejtorisë së policisë, katër prej të cilëve janë nga Komuna e Plavës. Shkeljet më të mëdha dhe më të shprehura janë bërë në Podgoricë, Nikshiq e Tivarë, kurse numri më i vogël i tyre është në komunat e Veriut të Malit të Zi.
Gëzon fakti se në 13 komunat veriore në Mal të Zi, ndër të cilat edhe në ato të Plavës, Gucisë e Rozhajës, të banuara edhe me popullatë shqiptare, ende nuk ka rast të prekur me pandeminë Covid-19.
Informatë e gazetarit
Shaban Hasangjekaj