Kosova do të jetë në mesin e tri shteteve të para që do pranojë nga SHBA’ja kontigjente vaksinash të dhuruara për imunizimin ndaj koronavirusit. Përzgjedhja e shteteve është bërë në bazë të miqësisë dhe prioritetit.
Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Ambasada e SHBA’së në Gjeorgji nëpërmjet një komunikate, derisa ka thënë se shteti respektiv, Kosova dhe Ukraina do jenë tri shtetet e para që do marrin vaksinat.
“Këtë javë Presidenti Biden njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndajë vaksinat COVID-19, Gjeorgjisë Ukarinës dhe Kosovës . Këto janë tre vendet e para evropiane që marrin vaksina nga Shtetet e Bashkuara, bazuar në përparësitë dhe partneritetet rajonale”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Ndonëse nuk është bërë me dije numri i vaksinave që do dhurohen, presidentja Vjosa Osmani përpara disa ditësh ka bërë me dije se më 19 prill iu është pranuar kërkesa për dhurim dozash të vaksinave.
“Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, pati njoftuar Osmani.
Në komunikatë, tutje thuhet se Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të përkushtuara për të mbështetur rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia në këto vende.