Guci – Shërbimet komunale dhe ndërmarrjet private, këto ditë me profesionalizëm dhe përkushtim të plotë janë duke i kryer punët dhe detyrat, e të gjitha me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19 në territorin e Komunës së Gucisë, por edhe të zbutjes së pasojave të shkaktuara me këtë epidemi. SHPK “Veprimtaritë komunale” dhe Shërbimi për mbrojtje dhe shpëtim i Komunës së Gucisë, janë duke paraqitur shembull të mirë të bashkëpunimit në veprimet e përbashkëta në parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19. Në ditët e kaluara, ata shumë herë kanë kryer dezinfektimin e të gjitha sokaqeve dhe të vendbanimeve periferike, sipërfaqeve publike, si dhe të objekteve dhe institucioneve me rëndësi publike.
Janë dezinfektuar hyrjet në institucione, shkallët, korridoret dhe zyret për punë. Përveç qendrës së qytetit, është kryer dezinfektimi edhe i 23 sokaqeve dhe rruginave. Me rastin e dezinfektimit, të punësuarit në SHPK “Veprimtaritë komunale”, po ashtu edhe ata të Shërbimit të mbrojtjes dhe shpëtimit, banorëve të vendbanimit “Vruja”, bashkëqytetarëve, të gjitha ndërmarrjeve private e punëtorëve të tyre dhe subjekteve të cilat kryejnë detyrat e punës në objektet tregtare e ato të bukëpjekjes, etj., ua kanë shpërndarë mbi 200 maska mbrojtëse dhe doreza.
Është evidentuar, po ashtu, edhe puna me mjaftë përkushtim e Inspeksionit komunal në drejtim të mbrojtjes së qytetarëve përmes reaksioneve me kohë në zmbrapsjen e veprimeve eventuale të palejueshme, të gjitha me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19.
Komuna e Gucisë, po ashtu gjatë ditëve të kaluara institucioneve publike dhe subjekteve të ndryshme ua ka shpërndarë pajisjet mbrojtëse (maska e doreza), kurse me shërbimet e veta është duke vepruar në ndarjen e sasisë së caktuar të mjeteve të lëngta për dezinfektimin e sipërfaqeve të punës, institucioneve e ndërmarrjeve, mjet ky dezinfektues të cilin e ka marrë prej firmës “Pollex” nga Berani dhe prej aeroporteve të Malit të Zi.
Gjithsesi, aty është edhe puna vetmohuese e ekipit komunal me Kryqin e kuq të Plavës, që me kohë të bëhet shpërndarja e pakove të ndihmës me artikuj ushqimor e mjete dezinfektuese, qytetarëve të cilëve në këto momente u është e domosdoshme. Andaj, mund të konstatohet se me donacionet e pakove ndihmëse: të Kryqit të kuq, Organizatës “Hemiias”, fondacioneve “Gusinje” dhe “Euro Gusinje”, të Bashkësisë islame, të shoqërisë private nga Gutersllohu i Luksemburgut, do të përfshihen 400 amvisëri nga territori i Komunës së Gucisë.
Kabineti i kryetares së Komunës së Gucisë, bashkë me ca sekretariate të caktuara, me ndërmarrje lokale dhe shërbime të ndryshme, vepron në koncipimin dhe ideshmërinë e një sërë masash ekonomike me qëllim të zbutjes së pasojave të shkaktuara nga epidemia e koronavirusit, benefitet e të cilave do t’i ndiejnë e hetojnë, si qytetarët e komunës, po ashtu edhe ndërmarrësit privat në territorin e komunës, për çka me kohë do të informohen.
Ajo që është qenësore të përmendet, është disiplina e bashkëqytetarëve tanë, e e gjithë kjo në drejtim të përfilljes dhe respektimit të masave dhe rekomandimeve të cilat i ka prurë Trupi nacional koordinues për sëmundje infektive në Qeverinë e Malit të Zi.
Komuna e Gucisë falënderon për bashkëpunim të gjitha organet shtetërore, Stacionin e shëndetit në Guci, Ndihmën e shpejtë, Drejtorinë e Policisë, Policinë kufitare, Administratën për punë inspektive, udhëheqsinë e Bashkësisë islame, shërbimet lokale, ndërmarrjet private dhe qytetarët e vet, duke bërë apel që edhe më tutje si deri më tani të vazhdohet me respektimin e masave dhe rekomandimeve me qëllim që së bashku të dalin fitues nga situata momentale epidemiologjike.
Shaban Hasangjekaj