SHESHELI DËNOHET ME 10 VJET BURG NGA TRIBUNALI I HAGËS, por ai nuk do të vuajë dënimin

Tribunali i Hagës ka dënuar me dhjetë vjet burgim Vojisllav Sheshelin për shkak të përndjekjes së kroatëve në Vojvodinë.

Megjithatë, Shesheli nuk do të vuajë dënimin me burg, pasi ai këtë e ka kryer gjatë kohës sa ka qëndruar në paraburgim, transmetojnë mediat serbe, shkruan KP.

Gjykata e OKB-së sot merr vendim për Sheshelin

Politikani nacionalist serb, Vojisllav Sheshel, do të mësojë sot nëse gjykata e Kombeve të Bashkuara do të mbështesë një apel kundër shfajësimit të tij për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Shesheli akuzohet se ka kryer krime kundër joserbëve në Kroaci, në rajonin serb të Vojvodinës dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, gjatë luftërave në Ballkan, që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet e ‘90-a. Në këto luftëra u vranë afro 130 mijë njerëz, raporton REL.

Ai akuzohet po ashtu për persekutim në bazë të prirjeve politike, fetare dhe racore, për deportim, vrasje dhe torturë.

Shesheli, 63-vjeç, i mohon këto akuzat. Ai kishte refuzuar që të marrë pjesë në seancën dëgjimore në Tribunalin e Hagës në dhjetor të vitit të kaluar.

Prokurorët e OKB-së kanë kërkuar nga gjykata që ta gjejë fajtor Sheshelin për tri akuza për krime kundër njerëzimit dhe për gjashtë akuza për shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës dhe ta dënojnë atë me 28 vjet burg, ose të urdhërojnë rigjykim.

Në një vendim kundërthënës në mars të vitit 2016, gjykatësit e Tribunalit Ndërkombëtar për Krime në ish-Jugosllavi liruan Sheshelin nga të gjitha akuzat.

Paneli i prokurorëve është thënë se “ka dështuar të ofrojnë prova” që do të dëshmonin se Shesheli ka qenë përgjegjës për krimet që është akuzuar.

Prokurorët kanë apeluar këtë vendim, duke thënë se gjykatësit kanë injoruar dëshmitë e ofruara.